Diabetologji

sht62021

Ndër efektet e sindromës long-Covid, edhe mundësia për të zhvilluar diabet

Është vërtetuar tashmë se të sëmurët me diabet, janë më të rrezikuar për t'u sëmurur rëndë me Covid, por po bëhet gjithnjë e më e qartë edhe mundësia që infeksioni Sars-CoV-2 të favorizojë zhvillimin e diabetit. Për më tepër, problemet me kontrollin e glicemisë dhe rezistencën ndaj insulinës janë gjithashtu shumë të zakonshme ndër çrregullimet e long-Covidit. Diabeti në vetvete mund të jetë një efekt i long-Covidit. Kjo mundësi, e mbështetur nga studime të ndryshme, u prezantua nga Francesco Giorgino, president i Shoqërisë Italiane të Endokrinologjisë (SIE), me rastin e Kongresit të 41-të Kombëtar që u mbajt kohët e fundit në Romë.

"Ne duhet të vazhdojmë të monitorojmë mundësinë e një korrelacioni midis infeksionit të ri nga coronavirusi dhe rrezikut për të zhvilluar ndryshime të glicemisë edhe pas shërimit", thotë Giorgino, profesor i Endokrinologjisë në Universitetin e Barit "Aldo Moro". Disa studime kanë treguar se coronavirusi mund të infektojë qelizat e pankreasit, si pjesa ekzokrine që prodhon enzima tretëse, ashtu edhe pjesa endokrine e organit që prodhon insulinë. Pacientët me Covid që kishin glicemi normale para infeksionit, shpesh kanë pasur një rritje të vlerave të glukozës në gjak gjatë sëmundjes. Përveç kësaj, disa studime kanë treguar se pacientët me Covid kanë shfaqur shqetësime në kontrollin e glicemisë edhe pas kapërcimit të infeksionit nga coronavirusi i ri. Stuhia e citokinave e shkaktuar nga infeksioni i virusit mund të nxisë çekuilibrat metabolikë dhe ndryshimet në kontrollin e glicemisë".

Në veçanti, një studim i kryer nga Laura Montefusco dhe Paolo Fiorina të sektorit të Endokrinologjisë, Asst Fatebenefratelli-Sacco, nga Milano, i botuar në revistën "Nature Metabolism", tregon se edhe pas muajsh shërimi nga Covid, shumë pacientë shfaqim çrregullime të glicemisë. Studimi ndoqi 551 pacientë normoglicemikë të shtruar më parë për Covid-19 në Itali: gjatë infeksionit, 46% e pacientëve kishin një rritje të glukozës në gjak, e cila ndodhi gjatë shtrimit në spital, ndërsa 27% ishin normoglicemikë. Shkencëtarët kanë treguar ndryshime në kontrollin metabolik te pacientët me rezistencë ndaj insulinës dhe profil jonormal të citokinave që nxisin inflamacionin, edhe pasi infeksioni është kapërcyer. Anomalitë glicemike mund të vërehen për të paktën dy muaj te pacientët e shëruar nga Covid-19. Të dhënat, pra, demonstrojnë se sëmundja shoqërohet me kontroll jo të mirë metabolik, i cili mund të vazhdojë pas shërimit nga infeksioni. Një studim në të njëjtën revistë, kryer nga Matthias Laudes (Universiteti Schleswig-Holstein i Kielit, në Gjermani), paraqet rastin e një pacienti të ri me infeksion asimptomatik Sars-CoV-2, i cili u sëmur nga diabeti autoimun apo i varur nga insulina (diabeti i tipit 1) vetëm gjatë së njëjtës kohë që ishte edhe i infektuar.

"Këto dhe shumë dëshmi të tjera klinike", thotë Giorgino, "sugjerojnë nevojën për hetime të mëtejshme mbi anomalitë metabolike në kontekstin e të ashtuquajturit long-Covid; do të ishte e rëndësishme të përpiqeshim të ndiqnim me kalimin e kohës subjektet e shëruara nga Covidi, për shembull, ata që kanë përjetuar ndryshime në kontrollin e glicemisë gjatë infeksionit, për të parë nëse ndryshimet në glicemi vazhdojnë në terma afatgjata dhe nëse këto subjekte zhvillojnë diabet. Në këtë drejtim, përfundon eksperti, mund të jetë i dobishëm edhe përdorimi i mjeteve të telemjekësisë për monitorimin në distancë: jo vetëm njerëzit me diabet, por edhe ata të shëruar nga Covidi, me probleme të vazhdueshme glicemike, mund të monitorohen në distancë në një afat të gjatë dhe ndoshta të ndiqen me televizita".


Nat Metab. 2021 Jun;3:774-785. Doi: 10.1038/s42255-021-00407-6.
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/34035524/

Nat Metab. 2020 Oct;2:1021-1024. Doi: 10.1038/s42255-020-00281-8.
https://pubmed.ncbi.nlm.nih.gov/32879473/ 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>