jan242022
Diabeti. Parashikimet e prevalencës në vitet e ardhshme
Një në 10 njerëz në mbarë botën ka diabet, shifër kjo që, për vitin 2021, u përkthye në një shpenzim global shëndetësor prej rreth 966 miliardë dollarësh. Kështu thuhet në edicionin e fundit të Atlasit të Diabetit të Federatës Ndërkombëtare të Diabetit (IDF), i cili përfshin 219 burime të dhënash nga 144 vende dhe të dhëna të ekstrapoluara për vende të tjera. Krahas paraqitjes së shifrave aktuale në lidhje me sëmundjen, të cilat janë shumë të larta dhe tashmë të ngritura ndjeshëm në krahasim me edicionin e 2019-ës, Atlasi parashikon një rritje në dekadat e ardhshme.
"Të dhënat dhe parashikimet tona tregojnë një histori që të bën të reflektosh. Prevalenca e diabetit pritet të ngrihet globalisht. Numri i të rriturve me diabet do të shkojë nga 537 milionë në vitin 2021, në 786 milionë deri në vitin 2045, një shtim prej 46%. Kjo tendencë pritet në çdo rajon të botës, me rritje më të madhe në rajonet e Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë Juglindore", tha Dianna Magliano (Instituti Baker Heart and Diabetes, Australi), për të cilën janë të nevojshme strategji efektive të ndërhyrjes dhe politika për të ndalur këtë shtim.
Janë rritur gjithashtu edhe kostot shëndetësore globale: me 316% që nga viti 2006. Megjithatë, duket se deri në vitin 2045, kostot do të ngrihen me vetëm 9%, pasi shtimi i diabetit do të ndodhë në rajone të botës ku shpenzimet për frymë për sëmundjen janë të ulëta. Ekzistojnë gjithashtu të dhëna për vdekshmërinë e lidhur me diabetin te njerëzit nën moshën 60 vjeç, e cila ka prekur kryesisht rajonet e Paqësorit Perëndimor dhe Lindjes së Mesme/Afrikës Veriore. Duhet theksuar se deri dy vjet më parë, vdekjet më të mëdha mes të rriturve në moshë pune u regjistruan në Azinë Juglindore dhe në Afrikë.
"Këto rezultate pasqyrojnë raportet e fundit mbi përshtatjen e pamjaftueshme të programeve të parandalimit të diabetit, si dhe mbi tendencat e palëvizshme të cilësisë së kujdesit gjatë dekadës së fundit dhe paraqesin sërish nevojën për të trajtuar sëmundjet jo të transmetueshme në mbarë botën", tha Elbert S. Huang (Universiteti i Çikagos).
Çështje të tjera të trajtuara në raport përfshijnë diabetin dhe COVID-19, diabetin e tipit 1 me fillim në moshë të rritur dhe diabetin e tipit 2, me fillim në fëmijëri. Çështjet kryesore të Atlasit tashmë janë paraqitur në kongresin e IDF-së, ndërsa informacione më të detajuara janë botuar në disa artikuj të botuar në Diabetes Research and Clinical Practice dhe do të jenë objekt i publikimeve të tjera.
IDF Diabetes Atlas
https://diabetesatlas.org/atlas/tenth-edition/