Diabetologji

shk162022

Sëmundjet jo të transmetueshme. Vdekshmëri më e lartë, nëse ka edhe çrregullim psikiatrik

Sipas një studimi suedez të botuar në PLOS Medicine, rreziku i vdekjes së pacientëve me sëmundje kronike jo të transmetueshme rritet më shumë se dy herë, nëse këta pacientë kanë edhe një sëmundje bashkëshoqëruese psikiatrike.

"Në këtë studim gjatësor me mbi 1 milion njerëz me sëmundje kronike, kemi vërejtur një rrezik në rritje të vdekshmërisë dhe vetëvrasjes nga të gjitha shkaqet tek individët me sëmundje bashkëshoqëruese psikiatrike", shkruajnë studiuesit. "Përmirësimi i vlerësimit, trajtimit dhe ndjekjes së personave me çrregullime psikiatrike bashkëshoqëruese mund të ulë rrezikun e vdekshmërisë te njerëzit me sëmundje kronike jo të transmetueshme", përfundojnë ata.

Për studimin u përdorën regjistrat kombëtarë, përmes të cilëve autorët analizuan njerëzit e lindur në periudhën 1932-1995, me një diagnozë të sëmundjes kronike të mushkërive, sëmundjeve kardiovaskulare dhe diabetit (n = 1,074,222). 25-32% e pacientëve ishin diagnostikuar me një çrregullim psikiatrik gjatë jetës së tyre. Brenda 5 viteve pas diagnozës, mbi 7% e pacientëve vdiqën (vdekje nga çdo shkak) dhe 0.3% kryen vetëvrasje. Kur njerëzit me çrregullime psikiatrike u krahasuan me ata pa çrregullime të tilla, u zbulua se këto çrregullime ishin të lidhura me vdekshmëri më të lartë nga të gjitha shkaqet (15.4% në 21.1% dhe 5.5% në 9.1%, respektivisht). Për të llogaritur rreziqet familjare, autorët analizuan vëllezërit e motrat e paprekur nga sëmundjet dhe zbuluan se sëmundjet bashkëshoqëruese psikiatrike mbetën të lidhura me shkallë më të lartë të vdekshmërisë së parakohshme ose vetëvrasjes. Përveç kësaj, u vërejt ndryshueshmëri në varësi të çrregullimit psikiatrik. Vlen të përmendet se çrregullimet e përdorimit të substancave u shoqëruan me një shkallë më të lartë të vdekshmërisë sesa depresioni.

"Te njerëzit e shtruar në spital për shkak të sëmundjeve kronike, identifikimi dhe trajtimi i çrregullimeve të përdorimit të substancave dhe depresionit mund të përmirësojë vdekshmërinë dhe sëmundshmërinë e pacientëve", thonë studiuesit. "Modelet e reja për ofrimin e shërbimeve më të integruara për shëndetin fizik, psikiatrinë dhe çrregullimet e përdorimit të substancave, kanë nevojë për studime, si pjesë e masave më të gjera për të reduktuar vdekshmërinë në sëmundjet jo të transmetueshme", shkruajnë ata.


PLOS Medicine 2022. Doi: 10.1371/journal.pmed.1003864.
https://doi.org/10.1371/journal.pmed.1003864


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>