jan112023
Metformina ul rrezikun e nevojës për zëvendësim të artikulacioneve te diabetikët
Përdorimi i metforminës te pacientët me diabet melit të tipit 2 redukton ndjeshëm rrezikun për zëvendësimin e plotë të artikulacioneve, sipas një studimi të publikuar në CMAJ.
"Ishte e paqartë nëse përdorimi i metforminës ulte rrezikun për zëvendësimin e artikulacioneve te pacientët me diabet melit të tipit 2. Prandaj, ne u përpoqëm të përcaktonim nëse kjo ishte e vërtetë për zëvendësimin total të gjurit (TKR) ose zëvendësimin e ijëve (THR) në ketë popullatë", shpjegon autori kryesor i studimit Zhaohua Zhu nga Universiteti Mjekësor Jugor i Guangzhou në Kinë.
Studiuesit zgjodhën pacientë me diabet melit të tipit 2 të diagnostikuar në periudhën 2000-2012 nga një bazë të dhënash kombëtare në Tajvan. Studimi përfshiu 20,347 pjesëmarrës që nuk ishin trajtuar me metforminë dhe 20,347 që e kishin marrë këtë medikament, për një total prej 40,694 individësh me moshë mesatare 63 vjeç.
Analiza e të dhënave tregoi se krahasuar me pjesëmarrësit që nuk përdornin metforminë, ata që e përdorën kishin rrezik më të ulët për TKR ose THR, pasi u përshtatën për faktorët ngatërrues.
Analizat e korrespondencës së pikës së prirjes (10,163 pjesëmarrës që nuk u trajtuan me metforminë kundrejt 10,163 të trajtuar me metforminë) dhe analizat e ndjeshmërisë treguan rezultate të ngjashme.
"Ne zbuluam se përdorimi i metforminës te pacientët me diabet melit të tipit 2 redukton ndjeshëm rrezikun për zëvendësimin e artikulacioneve, duke sugjeruar një efekt të mundshëm terapeutik të te pacientët me osteoartrit. Provat e kontrolluara me përzgjedhje rastësore për këta individë janë të nevojshme për të përcaktuar nëse metformina është me të vërtetë efektive në zvogëlimin e nevojës për zëvendësim të artikulacioneve edhe në këtë grup pacientësh", përfundojnë autorët.
CMAJ 2022. Doi: 10.1503/cmaj.220952
http://doi.org/10.1503/cmaj.220952