nën72015
Terapia konjitivo-bihejviorale përmirëson pagjumësinë e shkaktuar nga dhembjet kronike
Kërkuesit e Universitetit të Warwick kanë zbuluar dhe kanë shkruar në revistën Sleep se terapia konjitiv-bihejviorale është efikase te pacientët që vuajnë nga pagjumësia e shkaktuar nga dhembjet kronike. Nga rezultatet e tyre del në pah gjithashtu se kush vuan nga dhembje të vazhdueshme jo vetëm që fle më mirë por shfaq dhe një përmirësim të dhembjeve nga lodhja apo nga depresioni. Nicole Tang e Departamentit të psikologjisë, koordinatore e studimit shprehet: "Gjumi i shqetësuar është shkaku potencial i shëndetit të lig dhe mund të çojë drejt obezitetit, diabetit, iktusit, sëmundjeve koronare dhe në raste ekstreme edhe drejt vdekjes". Pagjumësia e cila shton riskun edhe për depresion, ankth dhe abuzim me narkotikët, ka një rol veçanërisht domethënës te personi që vuan nga dhembjet që zgjasin më shumë se tre muaj. Pikërisht në këtë nëngrup kërkuesit britanikë kanë verifikuar efikasitetin e terapisë konjitiv-bihejviorale. "Ky studim është i rëndësishëm sepse përdorimi i zgjatur i barnave të gjumit nuk është i këshillueshëm, prandaj gjendja duhet përmirësuar me trajtimet jo farmakologjike", vazhdon psikologja e cila bashkë me kolegët e Warwick Medical School, ka ekzaminuar në një meta-analizë 72 studentë me një total prej 1066 pacientësh në moshë midis 45-61 vjeç, që vuanin nga pagjumësia dhe dhembjet kronike të shkaktuara nga shqetësime të ndryshme si kanceri, dhembjet e kokës dhe artroza. Trajtimet objekt i vlerësimit konsistonin në një shumëllojshmëri qasjesh jo farmakologjike midis tyre terapia konjitiv-bihejviorale. Përveç verifikimit të efektit pozitiv të terapisë konjitiv-bihejviorale mbi pagjumësinë, kërkuesit kanë identifikuar menjëherë pas trajtimit një zvogëlim të dhembjes nga më e lehta në më të rëndën dhe një zvogëlim të simptomave depresive të lidhura ngushtë me përmirësimin e gjumit gjatë natës. "Megjithatë efekti pozitiv i terapisë konjitiv-bihejviorale i pranishëm edhe pas 12 muajsh nga follow-up-i, ishte më pak i dukshëm kur terapia nuk zhvillohej personalisht por nëpërmjet telefonit apo internetit", përfundon Tang, duke shpjeguar se tani nevojiten studime të mëtejshme për të vendosur nëse trajtimi afatgjatë me terapinë konjitiv-bihejviorale te pacientët me dhembje kronike është i realizueshëm dhe ekonomikisht i leverdisshëm.
Sleep. 2015. doi: 10.5665/sleep.5158
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/25902806
Përktheu: Erjola Taga