sht62023
Menopauza, ankthi dhe pagjumësia favorizojnë zhvillimin e fibrilacionit atrial
Ngjarjet stresuese të jetës dhe pagjumësia janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në zhvillimin e ritmeve të parregullta të zemrës, të njohura si fibrilacioni atrial (AF), një formë e aritmisë kardiake, e cila mund të shkaktojë mpiksje gjaku, iktus, insuficiencë kardiake ose komplikime të tjera kardiovaskulare. Vlerësohet se edhe pas menopauzës, 1 në 4 gra mund të vuajë nga fibrilacioni atrial. Këto janë raportimet e një studimi të ri amerikan të publikuar në "Journal of the American Heart Association".
Ankthi, pagjumësia dhe depresioni shtojnë rrezikun për AF te gratë
Fibrilacioni atrial, sipas studiuesve, është aritmia më e zakonshme kardiake me prevalencë, sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë. Disa studime kanë nxjerrë në pah dallime specifike në patofiziologjinë e fibrilacionit atrial midis burrave dhe grave, dhe se lidhja midis fibrilacionit atrial dhe kushteve më të këqija shëndetësore është gjetur te gratë. Përveç faktorëve tradicionalë të rrezikut si mosha, hipertensioni, diabeti, sëmundjet koronare të zemrës, insuficienca kardiake dhe obeziteti, edhe shqetësimi emocional dhe ai psikologjik për shkak të stresit, ankthi, pagjumësia dhe simptomat depresive kanë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e fibrilacionit atrial duke bërë të mundur aktivizimin e inflamacionin dhe rrugëve neurohormonale. Se si këta faktorë psikosocialë kaq të përhapur mund të ndikojnë në zhvillimin e fibrilacionit atrial te gratë pas menopauzës, vazhdon të jetë ende e paqartë për shkak të studimeve kontradiktore që ekzistojnë në literaturë.
Aspekti psikosocial dhe rëndësia e tij në gjenezën e fibrilacionit atrial
Studimet e reja tregojnë se faktorët psikosocialë mund të ndikojnë potencialisht në fibrilacionin atrial përmes mekanizmave të ndryshëm, megjithëse të dhënat janë të kufizuara në disa stresorë individualë dhe informacioni për gratë e moshuara mbetet i kufizuar.
"Në praktikën time të kardiologjisë së përgjithshme, unë shoh shumë gra në menopauzë me shëndet të përsosur fizik që luftojnë me gjumin e dobët dhe ndjenjat ose përvojat negative psikologjike, të cilat ne tani e dimë se mund t'i vënë ato në rrezik për zhvillimin e fibrilacionit atrial", tregon autorja kryesore e studimit Susan X. Zhao nga Qendra Mjekësore Santa Clara Valley në San Jose, Kaliforni. "Unë besoj fuqishëm se, përveç moshës, faktorëve gjenetikë dhe faktorëve të tjerë të rrezikut që lidhen me shëndetin e zemrës, aspekti psikosocial është pjesa plotësuese që mungon në enigmën e gjenezës së fibrilacionit atrial", vazhdon autorja.
Studiuesit kishin hipotezuar edhe më parë se pagjumësia dhe karakteristikat e tjera psikosociale, ose grupimet e këtyre faktorëve me ngjashmëri konceptuale të përbashkëta, lidhen me zhvillimin e fibrilacionit atrial te gratë pas menopauzës. Ata shqyrtuan të dhënat e më shumë se 83,000 pyetësorëve të plotësuar nga gratë e moshës 50-79 vjeç nga Women's Health Initiative, një studim i madh i kryer në SHBA. Pjesëmarrëseve iu drejtuan një sërë pyetjesh mbi tema të tilla si ngjarjet stresuese të jetës, ndjenjat e optimizmit, mbështetja sociale dhe pagjumësia.
Gjatë ndjekjes për rreth një dekadë, studimi zbuloi se rreth 25% e grave zhvilluan fibrilacion atrial. Për çdo pikë shtesë në shkallën e pagjumësisë, kishte një probabilitet 4% më të madh për të zhvilluar fibrilacion atrial. Në mënyrë të ngjashme, për çdo pikë shtesë në shkallën e ngjarjeve stresuese të jetës, kishte një probabilitet 2% më të madh për ta përjetuar atë. Autorët theksojnë se nevojiten hetime të mëtejshme prospektive për të konfirmuar këto lidhje dhe për të vlerësuar nëse ndërhyrjet individuale për reduktimin e stresit bazuar në profilin e secilit individ mund të modifikojnë rrezikun për zhvillimin e fibrilacionit atrial.
https://www.ahajournals.org/doi/10.1161/JAHA.123.030030