dhj72015
ARN e trombociteve në një pikë gjaku mundëson identifikimin e tumorit
Analiza e ARN-së në trombocite mund të rezultojë më e dobishme se teknika të tjera hematologjike, jo vetëm për të diagnostikuar një tumor dhe për të ndjekur ecurinë, por edhe për të vendosur strategji të personalizuara trajtimi. Nga konkluzionet e një studimi të publikuar në "Cancer Cell", u zbulua se profilet e ndërtuara ne bazë të ARN-së në trombocite janë në gjendje të ndajnë personat e shëndetshëm nga ata me 6 tipe kanceri, duke lejuar përcaktimin e pozicionit të tumorit primar dhe identifikimin e mutacionit që mund të drejtojë vendimet terapeutike. "Falë kombinimit të sekuencës së gjeneve të gjeneratës së re me algoritme të llogaritura dhe të zhvilluara nga ne, kemi mundur të zbulojmë me precizion të lartë prezencën e kancerit", pohon Bakhos Tannous nga departamenti i neurologjisë në Spitalin e Përgjithshëm në Çarleston (Masaçusets), autor i artikullit së bashku me kërkuesit e "VU University Medical Center" në Amsterdam, duke shtuar se ARN në trombocite mundëson edhe informacion mbi tipin e tumorit dhe mund të orientojë zgjedhjen e trajtimit optimal te secili pacient. Për të arritur te këto konkluzione grupi i kërkimit ka analizuar trombocitet e 55 dhuruesve të shëndetshëm, 39 individë me kancer fillestar dhe 189 persona me tumor të avancuar ose metastatik. Neoplazitë e studiuara ishin kanceri i mushkërive, ai kolorektal, glioblastoma, kanceri i pankreasit, ai hepatobiliar dhe mamar. Pas kryerjes së amplifikimit dhe sekuencimit të gjeneve të ARN-së në trombocitet e çdo individi, kërkuesit kanë identifikuar më shumë se 5.000 profile të ndryshme të ARN-së. "Duke krahasuar ato të dhuruesve të shëndetshëm me ato të pacientëve me neoplazi kemi zbuluar një rritje e nivelit të pothuajse 1.500 molekulave ARN, nga të cilat shumë ishin të përfshira në proceset tumorale dhe në reduktimin e njëkohshëm të 800 molekulave të tjera. "Analiza të profileve të tilla me algoritme të veçanta matematikore kanë lejuar identifikimin e prezencës së tumorit me 96% saktësi", shkruajnë autorët. "Ndër qasjet e ndryshme hematologjike të zhvilluara për të identifikuar dhe ndjekur zhvillimin e një tumori, ndër to analiza e qelizave malinje qarkulluese dhe të ADN-së së lirë, asnjë nuk është në gjendje të diagnostikojë kancerin primar dhe të identifikojë pozicionin e ngjashëm me ARN në trombocite", vazhdon Tannous, profesor i asociuar i neurologjisë në "Harvard Medical School", që tani po vlerëson mundësinë për të zhvilluar një test screening të bazuar në metodikat e reja.
Cancer Cell. 2015 Nov 9;28(5):666-76. doi: 10.1016/j.ccell.2015.09.018http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26525104
Përktheu: Erjola Taga