Focus

jan222016

Diagnostikimi i tumorit nëpërmjet testit të gjakut

tags: tumor

Quhet "Grail" shoqata e re e cila ka shpallur objektivin e zhvillimit të një testi gjaku në gjendje për të identifikuar në fazë të hershme tumoret. Nuk është e para në llojin e saj, por fakti që është krijuar nga "Illumina", kompania lider në prodhimin e pajisjeve hartografike për ADN-në me investitorë të kalibrit si Bill Gates (Miscrosoft) dhe Jeff Bezos (Amazon), frymëzon një interes të ri për sa i përket të ashtuquajturave biopsi likuide.

Bëhet fjalë për të analizuar segmente të ADN-së apo ARN-së që vijnë nga qeliza tumorale që gjenden të shpërndara në sistemin e qarkullimit të gjakut, siç shpjegon presidenti i Kolegjit italian të mjekëve onkologë primarë (Cipomo) Maurizio Tomirotti, i cili në fakt paralajmëron: "Jemi akoma shumë larg për të imagjinuar biopsitë likuide si një test imazherie për t'u ndjekur te popullsia në përgjithësi". Onkologu megjithatë pranon që jemi përballë një nga temave kërkimore më të vlerësuara që po shfaq tashmë rezultate konkrete në praktikën klinike në disa situata të kufizuara: "Sot mundësitë operative kanë të bëjnë me disa tumore, si ai i mushkërive ose i zorrës së trashë, aty ku është i rëndësishëm verifikimi nëse ekzistojnë ndryshime molekulare, shprehje të ndryshimeve gjenetike të tumorit dhe në momentin që janë të pranishme janë drejtuese të terapive që synojnë shënjestrën molekulare".

Sot nuk kemi një zëvendësues të biopsisë standarde në diagnostikimin e tumorit por, "nëse mbledhja e materialit për biopsinë në sasi të mjaftueshme me metodikat tradicionale rezulton e vështirë, biopsia likuide mund të shërbejë për një tipizim të tumorit dhe më pas nevojitet saktësimi që kjo teknologji nuk është e disponueshme në të gjithë qendrat sepse kërkon struktura biologjike molekulare të avancuara". Mundësitë e ardhshme janë megjithatë të gjitha për t'u eksploruar dhe financimet e shëndetshme ndaj kërkimit (Grail do të ketë një fond prej 100 milionë dollarësh) mund të hapin skenarë shumë interesantë, por Tomirotti bën thirrje për kujdes: "edhe nëse një ditë do të arrihet në mundësinë për të aplikuar biopsinë likuide si imazheri, do të duhet të shmangim riskun e diagnozave të tepërta të tumoreve që ndoshta nuk do të shfaqen kurrë".


Përktheu: Erjola Taga


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>