Focus

shk12016

Statinat efikase në apnean e gjumit me risk kardiovaskular

Lokalizimi jo korrekt i proteinës CD59 përfaqëson një nga mekanizmat që qëndrojnë në thelb të rritjes së riskut kardiovaskular te personat që vuajnë nga apnea obstruktive e gjumit dhe statinat mund të kenë një efekt pozitiv në këtë kontekst. Ky fakt pohohet në faqet e revistës "Science Translational Medicine" nga Sanja Jelic, prof. ass. në "Columbia University Medical Center" Nju Jork.
«Apnea obstruktive e gjumit prek 1/4 e popullatës së rritur në vendet perëndimore dhe trefishon riskun për hipertension, iktus ishemik, koronaropati dhe tromboembolizëm venoz", shpjegon kërkuesja që bashkë me kolegët është përpjekur të kuptojë më mirë mekanizmat që lidhin këto ndërprerje të frymëmarrjes gjatë gjumit me riskun kardio-vaskular, në mënyrë që të arrihet të identifikohen strategji efikase parandalimi.
Siç shpjegojnë autorët, sekuencat e përsëritura të mungesës së oksigjenit/ rioksigjenimit, tipike për apnean e gjumit, aktivizojnë endotelin dhe ky aktivizim përfaqëson një hap kyç në zhvillimin dhe progresionin e sëmundjeve kardiovaskulare. Edhe për këtë arsye Jelic dhe kolegët e kanë përqendruar vëmendjen e tyre në endotelium duke analizuar kampionet e indeve të nxjerra nga vena e gjymtyrës së sipërme në 128 persona që i janë nënshtruar studimeve mbi gjumin pranë qendrës për çrregullimet e gjumit  "Cumc", 76 prej të cilëve me diagnozë të apneas obstruktive noturne.
"Te pacientët me apne, kemi vënë re një grumbullim anormal të proteinës CD59 brenda qelizave endoteliale", shpjegon autorja duke kujtuar se normalisht proteina e përfshirë në proceset e mbrojtjes nga inflamacioni është e pranishme në sipërfaqen qelizore. Duke vazhduar në analizë, kërkuesit kanë zbuluar se te pacientët me apne dhe të trajtuar me statina, normat e CD59 në sipërfaqen qelizore janë të krahasueshme me ato të vëzhguara në kontrollet pa apne. "Duke u zhvendosur brenda qelizës, CD59 nuk arrin të zgjidhë detyrën e tij të mbrojtjes kundër inflamacionit, duke shtuar kështu riskun kardiovaskular", pohon Jelic që më pas përfundon: "Rezultatet tona sugjerojnë  se statinat mund të përfaqësojnë një strategji efikase në parandalimin kardiovaskular te pacientët me apne obstruktive të gjumit, por para se të jemi të sigurt duhen studime të mëtejshme".


Sci Transl Med. 2016. doi: 10.1126/scitranslmed.aad0634
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26738794


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>