shk222016
Nanomjekësia, 230 barna në proces zhvillimi kundër tumoreve
Aplikimi në onkologji i nanomjekësisë ishte tema kryesore në "Nano Word Cancer Day 2016", një event ndërkombëtar i organizuar në Milano si nismë e "European Technology Platform for Nanomedicine", organizmi evropian që grupon institucionet, kompanitë farmaceutike, institutet e kërkimit dhe shkencëtarët për të promovuar zhvillimin e nanomjekësisë. Kështu nga nanoteknologjia vjen një ndihmë 360 gradëshe në luftën kundër tumoreve: Mjete novatore për rezonancën magnetike e tomografinë e kompjuterizuar, grimca në gjendje për të transportuar me precizon të lartë kimioterapikun në shënjestrën tumorale, pjesëza që rrisin eficiencën e radioterapisë etj.
Në Evropë ka më shumë se 500 kompani që operojnë në fushën e nanomjekësisë dhe 150 të tjera në Shtetet e Bashkuara. Sot për sot janë rreth 50 nanobarnat e vëna në dispozicion të pacientëve për një vlerë të përgjithshme prej 100 - 130 miliardë dollarësh, ndërsa janë edhe 230 të tjera të kësaj kategorie që po eksperimentohen mbi njerëz, afërsisht 1/3 e tyre në fushën onkologjike. Kërkimi i lidhur me zhvillimin në këtë fushë ka nisur shumë kohë më parë, me lipozomet që përgjatë viteve kanë pësuar evolucion të vazhdueshëm duke çuar në formulimin e nanosistemeve "të avancuara" të afta për të transportuar barnat me precizion të lartë.
Aktualisht janë duke u studiuar teknologji gjithnjë e më novatore, disa prej të cilave kanë arritur fazën e eksperimentimit klinik. Prof. Frank Carruso nga Universiteti i Melburnit ka shqyrtuar disa nanogrimca inteligjente që shfrytëzojnë variacionet oksido-reduktuese për të transportuar principe aktive në sistemin e qarkullimit të gjakut. Për zhvillimin e tyre po bashkëpunojnë edhe kërkues italianë. "Janë grimca polimerike të cilat kur sintetizohen në ambient oksidues në pH4 ndërtojnë ura disulfide, ndërsa molekula terapeutike që mbartin mbyllet në brendi të tyre duke mbetur e tillë derisa arrin një format reduktues si ai brenda qelizave. Këtu urat disulfide thyhen dhe pjesëzat lirojnë përmbajtjen", shpjegon Nadia Zaffaroni drejtore e strukturës së Farmakologjisë Molekulare të Institutit milanez të tumoreve. Këto grimca përdoren për të bartur (siRNA) molekula të vogla sintetike të ARN-së të drejtuara kundër faktorit të mbijetesës të qelizave tumorale, survivina, ku janë në gjendje të inhibojnë sintezën dhe si rrjedhojë vdekjen e qelizave tumorale.
Një qasje e dytë në fazë eksperimentimi shfrytëzon nanovektorët biomimetikë, morfologjikisht të ngjashëm me leuokocitet dhe prandaj quhen "leukolike". Është fjala për nanogrimcat poroze të silicit, të mbuluara nga membrana e leukociteve.
"Janë si Kali i Trojës për tumorin, - thotë Zaffaroni. - Leukocitet aktivizohen në endotelet e inflamuar të pranishëm në tumor, prandaj edhe këto nanovektorë leukolikë do të barten në mënyrë specifike brenda tumorit. Studimet e para tregojnë se: nanovektorët do të jenë në gjendje të akumulohen në mënyrë selektive në endotelet e inflamuar brenda tumorit, të brendësohen dhe të lëshojnë barin antitumoral", përfundon ajo./D.GJ.