Focus

mar142016

Te pacientët onkologjikë, administrimi i opiateve më efikas kundër dhimbjeve

tags: Opiatet

Frikëra të pajustifikuara. Barriera kulturore. Kura të papërshtatshme. Ja fjalët kyçe mbi të cilat ngrihet sot debati për administrimin e opiateve në trajtimin e dhimbjes. Sipas të dhënave të fundit të Efic 2015, në Evropë regjistrohen çdo vit rreth 500 milionë ditë sëmundjesh të lidhura me simptomat e dhimbjes, ndërsa një në tre persona nuk merr asnjë trajtim.

"Dhimbja kronike është burim përkeqësimi të përgjithshëm fizik dhe psikik te personi; në rastet më të rënda, mund të arrijë të kompromentojë efikasitetin e terapisë në vazhdim", shpjegon Vittorio Guardamagna, drejtor i njësisë së terapisë së dhimbjes dhe kurave paliative në Institutin Evropian të Onkologjisë në Milano.
"Te pacientët me tumor, për shembull një gjendje dhimbjeje e stërzgjatur dhe e pakontrolluar detyron ndonjëherë onkologun që të ndërpresë kimioterapinë, ose radioterapistin që të shtyjë seancën. Është thelbësore pra të lehtësohet dhimbja për arsye jo vetëm etike por edhe klinike. Problemi është se ende shumë shpesh i drejtohemi terapive pak të përshtatshme: në rastin e pacientëve onkologjikë, ndodh një në dy raste. Pavarësisht paralajmërimeve të ndryshme të Agjencisë Evropiane të Barnave, ende sot ka shtrirje të gjerë administrimi i tejzgjatur i barnave anti-inflamatore jo steroide (AIJS) që nuk duhen administruar përtej tre javëve, për toksicitetin e tyre në nivel gastrik, hepatik, renal dhe kardiovaskular", shton Vittorio Guardamagna.    

Por, barnat opiode trembin edhe më shumë. "Pavarësisht ndryshimeve legjislative, - pohon Enrico Polati, drejtor i departamentit të emergjencës, terapisë intensive dhe terapisë së dhimbjes, - ende nuk i përgjigjemi në mënyrën e duhur nevojave reale të të sëmurëve. Qëndrojnë në fuqi barrierat e vjetra që kufizojnë aksesin ndaj barnave opiate, shpesh për shkak të frikës së pajustifikuar. Në të vërtetë, opiodët e rinj kanë një profil efikasiteti dhe sigurie më të lartë se të mëparshmit".

Në këtë drejtim, risia e këtyre viteve të fundit është çifti oksikodon/naltrexon, që kombinon një opiat me antagonistin e tij, duke lejuar me të njëjtin efikasitet, një tolerancë më të madhe falë efektit "antidot" të naltrexonit në nivel gastrointestinal, me reduktim të efekteve anësore tipike si kapsllëk, të përziera dhe të vjella. Prej pak kohësh në BE është e disponueshme formula me dozim maksimal ditor me lirim të zgjatur (160/80 mg), e aprovuar në bazën e rezultateve të studimit Oxn 3505 i udhëhequr mbi 243 pacientë me dhimbje të rëndë, të lidhura me patologji onkologjike ose kroniko-degjenerative.

Studimi i ndarë në grupe me ndërhyrje parashikonte ballafaqimin mes një grupi të parë pacientësh të trajtuar me oksikodon/naltrexon me doza të larta dhe një grupi të dytë që merrte doza të larta të vetëm oksikodonit. Në një fazë pasuese, të gjithë pjesëmarrësit kaluan në oksikodon/ naltrexon (deri në 180/90 mg ditë). Efikasiteti i dy trajtimeve u krahasua përballë një funksionimi më të mirë intestinal i regjistruar në grupin që merrte formulimin opiod/antagonist. "Këto rezultate, - përfundon Polati, - kanë lejuar ngritjen e dozimit maksimal në 160/80 mg/die, për të trajtuar edhe format më të rënda të dhimbjes, duke lejuar tani e në vazhdim që klinicisti të ndjekë me më shumë fleksibilitet pacientin dhe t'i përgjigjet më mirë nevojave antalgjike që ndryshojnë me kalimin e kohës, me evolucionin e sëmundjes".


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>