pri52017
Kompjuteri i parë me ADN që dozon barnat në mënyrë të saktë
Hapi më i fundit drejt mjekësisë së personalizuar janë biokompjuterat me ADN, pajisje "të gjalla" që përdorin sekuenca informacionesh gjenetike në vend të bit-eve dhe transistorëve. Në Universitetin e Eindhoven në Holandë është realizuar kompjuteri i parë me ADN, i cili është në gjendje që të vlerësojë nivelet e antitrupave të pranishëm në gjak për të rregulluar çlirimin e barnave në mënyrë inteligjente. Artikulli i publikuar në Nature Communications, nënvizon se pajisja mund të administrohet për të dozuar barnat me saktësi më të madhe duke reduktuar kostot dhe efektet anësore në kurimin e disa sëmundjeve autoimune, si p.sh. artritin reumatoid dhe sëmundjen Crohn.
Kompjuteri i ri me ADN është i pari që reagon ndaj pranisë së antitrupave, ndërsa paraardhësit e tij përdornin si input vetëm molekulat e ADN-së apo ARN-së. Ky avancim i fundit i cilësisë teknologjike është realizuar nga një grup kërkimi i drejtuar nga inxhinieri biologjik Maarten Merkx, i cili arriti të përkthejë praninë e një antitrupi në një sekuencë unike ADN-je që lexohet nga kompjuteri "i gjallë" dhe ri-elaborohet për të përllogaritur më pas se sa bar duhet të çlirohet. "Prania e një molekule të veçantë ADN-je aktivizon një seri të tërë reaksionesh me të cilat kompjuteri mund të drejtojë programe të ndryshme", shpjegon kërkuesi, Wouter Engelen që më pas shton: "Rezultatet tona tregojnë se është e mundur të përdorim këtë lloj kompjuteri për të kontrolluar aktivitetin e enzimave, por mendojmë që mund të përdoret edhe për të kontrolluar aktivitetin e antitrupave terapeutikë, njësoj si ata që përmbajnë barnat biologjike të përdorura kundër sëmundjeve të ndryshme autoimune, mes të cilëve sëmundjen Crohn dhe artritin reumatoid".