jan82018
Kujdes me pamjaftueshmërinë adrenale, pasojë e terapive steroide
Zhvillimi i pamjaftueshmërisë adrenale dytësore te pacientët që ndjekin terapi steroide në doza të larta, është pasojë e ndërprerjes së vetë trajtimit, ndërsa te pacientët në terapi steroide me doza të ulëta, mund të zhvillohet edhe gjatë trajtimit, duke përkuar kështu me ngjarjet stresuese që kanë më shumë nevojë për kortizol, gjë të cilës gjendra adrenale nuk mund t'i përgjigjet për shkak të reagimeve të përkeqësuara hipotalamike-hipofizare.
"Një studim i fundit i tërthortë danez, thotë Laura Trementino në buletinin e sëmundjeve endokrino-metabolike, e ka përqendruar vëmendjen në këtë aspektin e fundit. Është e nevojshme të nënvizojmë se, pamjaftueshmëria adrenale dytësore që zhvillohet nën terapitë steroide (të marra për problematika inflamatore ose autoimune), paraqet një komplikacion të rëndë klinik, fatkeqësisht, të nënvlerësuar. Deri më sot, në fakt, nuk ekzistojnë protokolle të standardizuara që parashikojnë vlerësimin e funksionit adrenal gjatë terapive steroide ose pas ndërprerjes së tyre", nënvizon Trementinoja. "Kësaj i shtohet shpesh fakti që personeli shëndetësor nuk e informon pacientin rreth një hipoadrenalizmi të mundshëm, gjë që mund të pasohet nga mosnjohja e mënyrës së trajtimit të një krize të tillë dhe vendosja e pacientit para një rreziku të rëndë".
Kërkuesit danezë kanë studiuar funksionin adrenal të 42 pacientëve kaukazë me moshë ≥ 18 vjeç, me artrit reumatoid, nën terapi steroide me 5 mg/die prednisolone, për një periudhë prej ≥ 6 muajsh (mesatarja 66). Kriteret e përjashtimit nga studimi ishin paaftësia për të dhënë pëlqimin, gjendja e shtatzënisë, terapia estrogjenike në 6 javët pasuese, testi i stimulimit me ACTH dhe çfarëdolloj kushti tjetër që nuk e lejonte ndërprerjen e terapisë steroide për 48 orë. "Funksioni adrenal", raporton Trementinoja, "është vlerësuar nëpërmjet testit të stimulit me ACTH 250 μg ev, që është bërë në mëngjes esëll pas një mesatareje prej rreth 48 orësh nga marrja e dozës së fundit të prednisolone-s. Nivelet e kortisolemisë janë dozuar para dhe 30 minuta pas infuzionit të ACTH-së duke përdorur si kufi të përgjigjes normale vlerat e kortizolit ≥ 420 nmol/L (15.2 μg/dL) pas 30 minutash. Për të përjashtuar forma të mundshme të pamjaftueshmërisë adrenale primitive, në bazë janë vlerësuar edhe nivelet plazmatike të ACTH-së dhe të antikorpeve anti adrenale». Ja, cilat kanë qenë rezultatet:
48% e pacientëve (20/42) paraqitën pamjaftueshmëri adrenale në testin ACTH. Duke marrë parasysh vetëm pacientët që nuk kishin marrë të tjera formulime steroide në 3 muajt që paraprinë studimin, 39% (13/33), patën sidoqoftë një përgjigje adrenale të pamjaftueshme. Nivelet e ACTH-së plazmatike (të dozuar te 41 pacientë) patën rezultate të reduktuara, ndërsa antitrupat antiadrenalë (të hetuar në 38 pacientë) patën rezultate negative te të gjithë. Kohëzgjatja e trajtimit steroid nuk ishte e lidhur me pikun e kortizolemisë në 30 minuta dhe as nuk kishte dallime domethënëse në funksion të seksit apo të pozitivitetit biokimik ndaj faktorit reumatoid.
«Pamjaftueshmëria adrenale karakterizohet nga zhvillimi i simptomave/shenjave jospecifike që mund të ngatërrohen me një riaktivizim të patologjisë autoimune/inflamatore, duke e bërë të vështirë identifikimin e saj të hershëm. Ky studim vë në dukje mbizotërim të rritur të hipoadrenalizmit edhe gjatë terapisë "kronike" me doza të ulëta steroidesh (për shembull, prednisolone 5 mg/die)".
Është e domosdoshme që pacientët në terapi steroide afatgjatë, të jenë të informuar rreth rrezikut të pamjaftueshmërisë adrenale dhe të udhëzuar për të përdorur doza plotësuese të steroideve (mundësisht, hidrokortizon) në rastet e një krize të mundshme adrenale. "Është e nevojshme, komenton Trementinoja, që të monitorojmë funksionin adrenal jo vetëm pas ndërprerjes së terapisë steroide, për ta vazhduar më tej me hidrokortizon, me qëllim zëvendësimi deri në rimëkëmbjen e aksit kortikotrop, por edhe gjatë trajtimit me doza të ulëta steroidesh, me qëllim që të identifikohen pacientët në rrezik dhe të aktualizohen strategjitë e duhura terapeutike. Janë të domosdoshme studime të ardhshme të fokusuara për të përcaktuar dhe standardizuar kohët dhe mënyrat e vlerësimit të funksionit adrenal gjatë terapisë steroide kronike, si mënyra më e përshtatshme e menaxhimit", përfundon endokrinologia.
Eur J Endocrinol, 2017; 177: 287-95.