jan162018
Terapia me fusha elektrike përmirëson prognozën te pacientët me glioblastomë
Te pacientët me glioblastomë të cilët kanë ndjekur një terapi shtesë që përdor fushat elektrike, mbijetesa e përgjithshme dhe mbijetesa pa përparim të tumorit ishin më të mira se ato të pacientëve që kishin ndjekur vetëm kimioterapinë standarde. Glioblastoma është tumori më i zakonshëm dhe agresiv i trurit dhe vetëm një pacient në katër, mbijeton deri në dy vjet pas diagnozës. "Përparimet në trajtimin e këtij tumori kanë qenë shumë të vogla. Fushat elektrike për trajtimin e tumoreve (TTFields) janë një lloj terapie që ndërvepron me ndarjen qelizore, duke shfrytëzuar fushat elektrike me intensitet të ulët drejtuar tumorit përmes elektrodave të vendosura në lëkurën e kokës dhe të lidhura me një aparat portativ. Jemi përpjekur të matim mbijetesën pa përparim të tumorit dhe mbijetesën e përgjithshme, pas shtimit të këtij trajtimi", shpjegon Roger Stupp, Shkolla e Mjekësisë në Çikago, autori kryesor i studimit të publikuar në "Jama".
Hulumtuesit kanë regjistruar 695 persona me glioblastoma, tumori i të cilëve ishte hequr me kirurgji ose i ishte nënshtruar biopsisë, që kishin përfunduar rrezatimin apo kimioterapinë nga viti 2009 deri në vitin 2014 dhe që i kishin ndjekur ato deri më 2016. Pacientët u trajtuan me TTFields (me një kohëzgjatje prej të paktën 18 orësh në ditë) dhe me temozolomide ose vetëm me temozolomide.
Rezultatet:
Mbijetesa mesatare pa përparim të tumorit ishte 6.7 muaj në grupin TTFields+temozolomide dhe 4.0 muaj në grupin temozolomide.
Mbijetesa e përgjithshme mesatare ishte 20.9 muaj në grupin TTFields+temozolomide, krahasuar me 16.0 muaj në grupin temozolomide.
Frekuenca e ngjarjeve të padëshiruara sistemike ishte 48% në grupin TTFields+temozolomide dhe 44%, në grupin temozolomide.
Është vënë re një dëmtim toksik i lehtë deri i moderuar i lëkurës nën elektroda te 52% e pacientëve që ndoqën TTFields+temozolomide.
"Shtimi i TTFields në terapinë mbajtëse me temozolomide, ka patur si rezultat përmirësim statistikisht të rëndësishëm të mbijetesës. Këto rezultate janë në përputhje me ato të raportuara në analizën e mëparshme të ndërmjetme", përfundojnë autorët.
Jama. 2017. doi: 10.1001/jama.2017.18718
https://jamanetwork.com/journals/jama/article-abstract/2666504?redirect=true