Focus

jan292018

Reagime të ashpra për majmunët e klonuar: Përcaktoni kufijtë, që të mos shkojmë te klonimi i njeriut!

"Nëse qëllimi i një eksperimenti është të arrijë klonimin e njeriut, kjo është e dënueshme nga ana etike dhe a priori. Nëse përkundrazi, bëhet për qëllime terapeutike, për të kuruar njeriun dhe jo për të krijuar kopje të tij, ende lejohet një eksperimentim mbi kafshët, me të gjitha masat paraprake dhe duke supozuar se këto kafshë nuk vuajnë". Kështu e komenton nënkryetari i Komitetit Kombëtar të Bioetikës, Lorenzo D'Avack, rastin e parë të klonimit të primatëve, me një teknikë të ngjashme me atë të përdorur për delen Dolly.

"Jeta e njeriut nuk është programuar për t'u aktivizuar me sisteme artificiale, por me takimin e dy gameteve, një i burrit dhe tjetri, i gruas", thotë gjenetisti, drejtor shkencor i spitalit "Jezusi Fëmijë", Bruno Dallapiccola. "Riaktivizimi i këtij lloji të hulumtimeve, shton Dallapiccola, është një lajm i rëndësishëm edhe praktikisht, pasi dy kafshë identike me të njëjtin profil gjenetik, mund të përdoren për eksperimentimin farmakologjik. Është e qartë se e gjitha kjo rindez në mënyrë dramatike problemin e debatit etik mbi klonimin e njeriut, sepse jemi në prag të një mundësie teorike për këtë, me të gjitha pasojat që ka kjo. Debati filloi në fund të viteve '90 dhe vazhdon të jetë i gjallë, sepse është e vështirë të kuptohet se deri në çfarë mase studiuesi është në gjendje të vendosë një kufi në kërkimin e tij. Të mos harrojmë se delja Dolly ngordhi nga sëmundja dhe për këtë arsye, subjekti i klonuar mund të ketë diçka që deri më sot, nuk dimë ta përkufizojmë siç duhet".

I shqetësuar nga hipoteza e klonimit, është edhe Maurizio Genuardi, drejtor i Institutit të Mjekësisë Gjenomike në Universitetin Katolik të Romës dhe president i Shoqërisë Italiane të Gjenetikës Njerëzore (SIGU): "Tani është plotësisht e parashikueshme, thotë Genuardi për "Adnkronos Salute", se nga pikëpamja teknike, klonimi i njeriut është i mundur, ndonëse nuk mund ta themi me saktësi se kur. Ka kaluar një periudhë e gjatë kohe ndërmjet klonimit të deles Dolly dhe asaj të makakëve. Problemi nuk është teknik, por etik".

Për Genuardin, komuniteti shkencor "duhet të mbështetet edhe nga institucionet e tjera" në lidhje me përcaktimin e kufijve për eksperimentet. "Sigurisht që ka një vetëkontroll të universiteteve dhe institucioneve të kujdesit shëndetësor në shumicën e vendeve, vë në dukje eksperti, por ka vende ku teorikisht nuk ka lloje të tilla kufijsh, kështu që duhet të jenë qeveritë, ato që, së bashku me hulumtuesit, të vendosin të ndalojnë klonimin e njeriut".


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>