tet102018
Depresioni pas lindjes. Baballarët vuajnë thuajse sa nënat
Baballarët kanë pothuajse po aq mundësi sa nënat për të rezultuar pozitivë në kontrollet për depresion pas lindjes, sipas një studimi të publikuar në "JAMA Pediatrics". Prindërimi sjell ndryshime të mëdha në mirëqenien mendore dhe fizike të individëve. Dihet prej kohësh tashmë se gratë iu nënshtrohen ndryshimeve të mëdha fizike pas lindjes dhe se vitet e edukimit të hershëm të fëmijëve karakterizohen nga gjumi i kufizuar dhe stresi fizik e emocional. Rreth 24% e grave vuajnë nga depresioni para lindjes ose pas lindjes, por normat e depresionit te baballarët janë më pak të njohura dhe nuk janë studiuar shumë.
"Disa studime sugjerojnë se kur bëhen baballarë, te meshkujt rritet rreziku i depresionit, por ne nuk e njohim depresionin e baballarëve, por aq sa të nënave", thotë Erika Cheng (Shkolla e Mjekësisë në Indianapolis), autore kryesore e studimit. Akademia Amerikane e Pediatrisë, aktualisht, u rekomandon mjekëve që t'ua nënshtrojnë si nënat, ashtu edhe baballarët kontrolleve për depresionin perinatal dhe kontrolli i mirëqenies së fëmijës mund të jetë koha ideale për këtë procedurë. Studiuesit kanë vlerësuar anketat e shkurtra të depresionit që kanë plotësuar prindërit në dhomat e pritjes gjatë vizitave të fëmijëve të tyre në pesë qendra shëndetësore në Indianapolis, duke përfshirë afërsisht 10,000 vizita për fëmijët deri në moshën 15 muajsh.
Baballarët kanë marrë pjesë pothuajse në një të tretën e vizitave dhe e kanë përfunduar kontrollin për shfaqjen e depresionit në 8% të të gjitha vizitave. Prevalenca e depresionit midis baballarëve ishte 4.4% dhe pastaj iu afrua prevalencës prej 5.0% mes nënave që i janë nënshtruar kontrollit. Hulumtuesit, duke theksuar pasojat afatgjata të depresionit atëror në zhvillimin e fëmijës, përfundojnë se klinikat pediatrike janë mjedise të përshtatshme për t'u adresuar në rast të depresionit të të dy prindërve, si pjesë e një qasjeje ndaj kurës, të përqendruar te familja.
JAMA Pediatr. 2018. doi: 10.1001/jamapediatrics.2018.1505
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30039168