dhj62018
Si ndikon rraskapitja e mjekëve te siguria e pacientëve. Rezultatet e metanalizës
Sipas rezultateve të një metanalize sistematike në shkallë të gjerë, të botuar në "JAMA Internal Medicine", rraskapitja dhe ezaurimi i mjekëve (i ashtuquajtur: burnout) ka pasoja negative në cilësinë e kujdesit të ofruar dhe dyfishon mundësinë e mostrajtimit të pacientëve në mënyrë të sigurt.
"Analiza jonë jep prova se rraskapitja e mjekut mund të vërë në rrezik kujdesin për pacientin dhe se shmangia e këtij rreziku duhet të shihet si një objektiv themelor i politikës shëndetësore në mbarë botën", thotë Maria Panagioti (Universiteti i Mançesterit, Mbretëria e Bashkuar), e cila udhëhoqi grupin e studimit. Për të vlerësuar pasojat e rraskapitjes, në kujdesin ndaj pacientit, deri më tani, jo shumë të njohura, studiuesit morën në konsideratë 47 studime të rëndësishme për më shumë se 42,000 mjekë (59% burra, mosha mesatare 38 vjeç).
Kështu, rezultatet e analizës tregojnë se ezaurimi i mjekut lidhet dukshëm me një shtim të rrezikut për incidente që kanë të bëjnë me sigurinë, cilësinë e dobët të kujdesit dhe kënaqësinë e ulët të pacientit. Në veçanti, simptomat e depresionit ose ezaurimit emotiv u shoqëruan me një rrezik dyfish më të lartë për përfshirje të incidenteve të sigurisë së pacientit. Depersonalizimi i lidhur me rraskapitjen tregonte një probabilitet katërfish më të lartë që pacienti të shfaqte pakënaqësi ndaj trajtimit.
Gjetja më alarmante sipas studiuesve është se te specializantët dhe te mjekët që janë në fillim të karrierës, rreziku i sjelljeve joprofesionale katërfishohet. "Rezultatet tona tregojnë se organizatat e kujdesit shëndetësor kanë për detyrë të investojnë në strategji të mëdha për të reduktuar rraskapitjen te mjekët, me një vëmendje të veçantë mbi profesionistët e rinj.
Janë të nevojshme masa novatore për të zbutur të tre faktorët kryesorë që kontribuojnë në gabimet mjekësore: pacientët e pambrojtur, sistemet e ndjeshme dhe rraskapitjen e mjekëve", përfundojnë autorët. "Ndërkohë që gati gjysma e mjekëve amerikanë shfaqin simptoma të lodhjes, duhet të punohet më tej për të kuptuar se si ta zvogëlojmë atë dhe çfarë mund të presim nga kjo", shkruan Mark Linzer (Universiteti i Minesotës), në një editorial shoqërues.
JAMA Intern Med 2018. doi: 10.1001/jamainternmed.2018.3713
https://jamanetwork.com/journals/jamainternalmedicine/article-abstract/2698144
JAMA Intern Med 2018.doi: 10.1001/jamainternmed.2018.3708
https://jamanetwork.com/journals/jamainternalmedicine/article-abstract/2698140