mar222019
Burnout-i te mjekët. Fenomeni është në rritje. Ja, cilat janë specialitetet më të prekura
Rraskapitja, tashmë e emërtuar në mënyrë universale me emrin burnout, është gjithnjë e më e shpeshtë mes personelit shëndetësor dhe përgjigjet e një studimi të ri të organizuar nga Medscape, tregojnë se plot 44% e profesionistëve të shëndetit plotëson kriteret që përkufizojnë këtë patologji, me një rritje prej 2%, në krahasim me vitin e kaluar. Por, jo vetëm kaq. Në fakt, 11% e mjekëve klasifikohen në depresion dhe 4% vuajnë nga depresioni klinik. Përgjigjet e 15.069 mjekëve në 29 specialitete të studimit që janë analizuar në Raportin Kombëtar të vitit 2019: Burnouti, Depresioni dhe Vetëvrasja mes Mjekëve (National Physician Burnout, Depression & Suicide Report 2019) tregojnë se 14% e mjekëve e ka menduar vetëvrasjen, por nuk ka tentuar ta bëjë dhe 6%, nuk ka dashur të përgjigjet, ndërsa 1% ka rrëfyer se është përpjekur t'i zbatojë këto mendime.
Pjesa më e madhe e atyre që ka pasur mendime për vetëvrasje (58%) ia ka rrëfyer dikujt, shpesh një terapisti (34%), ose një pjesëtari të familjes (33%). Duke analizuar tendencën sipas specialitetit, ka dalë se urologët kanë qenë më të prirur për të vuajtur nga burnouti (54%), të ndjekur nga neurologët (53%), ndërkohë që profesionistët më pak të prekur nga problemi kanë qenë specialistët e shëndetit publik dhe ata të mjekësisë preventive (28%). Përsa i përket gjinisë, nga ky problem vuajnë më së shumti femrat (50% në krahasim me 39% meshkuj), ndoshta për shkak të presioneve dhe impenjimeve më të mëdha edhe në aspektin familjar, ose sepse janë më të predispozuara për ta rrëfyer këtë gjë.
Por, çfarë i çon mjekët drejt burnoutit?
59% kanë konfirmuar se janë shumë të ngarkuar me aktivitete administrative, 34% se kalojnë shumë kohë në punë dhe 32% se kanë patur shtim të informatizimit të praktikave, si për shembull, përdorimi i kartelave klinike elektronike. Frekuenca e burnoutit ka rezultuar e ngjashme në të gjitha ambientet e praktikës, nga spitalet, ambulancat e deri te klinikat universitare. Profesionistët kanë konfirmuar se përdorin si metodë të parë për përballimin e burnoutit, ushtrimet fizike (48%), të ndjekura nga bisedat me familjarët e miqtë (43%) dhe izolimi (41%).
Gjysma e mjekëve që ka referuar depresionin, ka konfirmuar se ky fakt ndikon në mënyrë negative mbi kurën e pacientëve, por vetëm 16% e këtyre profesionistëve kanë deklaruar se kërkon ndihmë ose mendon të kërkojë ndihmë, ndërsa 64% kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të kërkojnë ndihmë dhe as nuk e kanë bërë kurrë këtë.
Burnout Rises Above 50% in Some Specialties, New Survey Shows - Medscape - Jan 17, 2019
https://www.medscape.com/slideshow/2019-lifestyle-burnout-depression-6011056