gus162019
"Superbakteret" mund të mposhten me kombinime antibiotikësh
Sipas një studimi të botuar në "Nature Microbiology", forma e rezistencës ndaj antibiotikëve, e njohur si "hetero-rezistencë" është më e përhapur nga sa mendohej më parë dhe monitorimi i kësaj situate bën të mundur zgjedhjen e kombinimeve antibiotike të dobishme për mposhtjen e baktereve që konsiderohen të pamposhtura.
"Prania e hetero-rezistencës bën që testet standarde të përdorura në laboratorët spitalorë të mos jenë gjithmonë në gjendje të zbulojnë rezistencën e vërtetë ndaj një antibiotiku të caktuar, sepse vetëm një nënpopullsi e vogël e qelizave bakteriale është rezistente ndaj barit. Por, kjo nënpopullsi shfaqet me shpejtësi dhe lulëzon kur ky antibiotik i veçantë merret gjatë infeksionit bakterial", shpjegon David Weiss (Qendra e Rezistencës ndaj Antibiotikëve "Emory", në Atlanta, SHBA), autori kryesor i studimit.
"Hetero-rezistenca mund të bëjë ndonjëherë që disa baktere të klasifikohen gabimisht si të ndjeshme, duke çuar kështu në dështim të trajtimit dhe në raste të tjera do t'ju bëjë të mendoni se jeni përpara një shtami rezistent në tërësinë e tij, edhe nëse kjo nuk është e vërtetë", vazhdon Weiss-i. Studiuesit ekzaminuan 104 izolate bakteriale të marra nga një program mbikëqyrjeje i mbështetur nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në Gjeorgji, që përmbajnë Enterobacteriaceae rezistente ndaj karbapenemeve dhe panë që 85% e këtyre baktereve ishin hetero-rezistente ndaj të paktën dy antibiotikëve. Ekspertët më pas zbuluan se kombinimi i këtyre dy antibiotikëve e bënte më të lehtë vrasjen e baktereve sepse vepronte në mënyrë të pavarur në dy nënpopullsi.
Autorët tregojnë se ky studim ka të bëjë vetëm me enterobakteret rezistente ndaj karbapenemit, të cilat CDC-ja i ka përcaktuar si një kërcënim kryesor, por që heterogjeniteti është vërejtur edhe në llojet e tjera të baktereve. Tani nuk është e mundur të thuhet paraprakisht se cili kombinim i antibiotikëve do të funksionojë apo jo dhe duhen bërë ende studime mbi pacientët në spital para se të konfirmohet efikasiteti i kësaj lloj ndërhyrjeje.
"Kjo ide e terapisë së kombinuar, tani për tani, mund të jetë një mënyrë për të përdorur ende antibiotikë ndaj të cilëve bakteret kanë zhvilluar rezistencë. Me pak fjalë, mbase nuk është rasti t'i hedhim ato barna në mbeturina. Ato thjesht duhet të përdoren në kombinim me të tjerët, për të qenë efikase", përfundon Weiss-i.
Nat Microbiol. 2019. doi: 10.1038/s41564-019-0480-z
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/31209306