nën252020
Covid-19. Identifikohet treguesi prognostik më i saktë se shënjuesit e tjerë
PTX3, një molekulë e përfshirë në imunitet dhe inflamacion, është tregues i fortë i pavarur prognostik i vdekshmërisë afatshkurtër te pacientët me Covid-19. Ky është rezultati i një studimi të botuar në "Nature Immunology" dhe të kryer nga një grup kërkimor i Humanitas, drejtuar nga Alberto Mantovani dhe nga një grup i Asst Papa Giovanni XXIII drejtuar nga Alessandro Rambaldi. Analiza e sekuencave të ARN-së së qelizave mononukleare të gjakut periferik, analiza bioinformatike e një qelize të vetme dhe imunohistokimia e mostrave të autopsisë pulmonare kanë zbuluar se qelizat mielomonocitike dhe qelizat endoteliale shprehin nivele të larta të PTX3 te pacientët me Covid-19. Përqendrimet e rritura plazmatike të PTX3 u zbuluan në 96 pacientë me Covid-19.
"Te pacientët me Covid-19, kjo molekulë është e pranishme në nivele të larta në gjakun që qarkullon, në mushkëri, në qelizat e linjës së parë të mbrojtjes (makrofaget) dhe në qelizat që veshin sipërfaqen e brendshme të enëve të gjakut (endoteli vaskular) . Ky është informacion i rëndësishëm pasi pacientët me Covid-19 kanë një inflamacion shumë të fortë (sindroma e aktivizimit të makrofagut) e cila çon në trombozë të mikroqarkullimit pulmonar në nivelin e qelizave endoteliale", shpjegon Mantovani për shtypin.
Në analizën e kryer nga ekspertët, PTX3 ka qenë një parashikues i fortë i pavarur i vdekshmërisë në 28 ditë, te pacientët e shtruar në spital me Covid-19 dhe më i mirë sesa shënjuesit konvencionalë. Rëndësia prognostike e PTX3 në lidhje me vdekshmërinë u konfirmua në një grup të dytë të pavarur me 54 pacientë. Duke pasur parasysh vëzhgimet e tyre, ekspertët besojnë se qelizat mielomonocitike në qarkullim, ato pulmonare dhe qelizat endoteliale janë burim kryesor i PTX3 dhe se përqendrimi plazmatik i PTX3 mund të jetë i dobishëm për të treguar vdekshmërinë afatshkurtër në Covid-19. "Studimi, i cili kërkon verifikim dhe konfirmim të mëtejshëm, mund të jetë një mjet i rëndësishëm për të udhëzuar mjekët në përcaktimin e terapive të personalizuara për secilin pacient", përfundon Mantovani.
Nature Immunology 2020. Doi: 10.1038/s41590-020-00832-x
https://doi.org/10.1038/s41590-020-00832-x