gus272021
Fraktura e kaviljes. Ja, çfarë e udhëheq zgjedhjen mes mënyrave të trajtimit
Allçia dhe tutori nuk tregojnë ndonjë ndryshim në efikasitetin e tyre për trajtimin e frakturës së kaviljes dhe vendimi se cila pajisje do të përdoret duhet të varet nga kostoja dhe preferencat e pacientit, sipas një studimi të botuar në "British Medical Journal". Frakturat e kaviljes janë shumë të zakonshme dhe kanë tendencë të ndodhin kur peshohesh në këmbë dhe e kthen atë. "Jo të gjitha frakturat e kaviljes kërkojnë kirurgji, por në të gjitha rastet, pacientët duhet ta mbajnë këmbën përgjithësisht të palëvizshme për një periudhë prej rreth gjashtë javësh, për të bërë të mundur shërimin e kockave", shpjegon Rebecca Kearney (Universiteti Warwick), autore kryesore e punimit.
Studiuesit krahasuan dy pajisjet në trajtimin e 669 individëve me fraktura të kaviljes, të cilët u zgjodhën në mënyrë rastësore për t'u trajtuar me allçi ose tutor të lëvizshëm për të imobilizuar këmbën pas një frakture të kaviljes. Pacientët e trajtuar me tutor u këshilluan ta hiqnin pajisjen rreth tri herë në ditë dhe të përsëritnin ushtrimet e lëvizjes së kyçit të këmbës. Grupit me allçi nuk iu caktuan ushtrime të veçanta, as nuk iu tha të lëviznin kyçin e këmbës, duke pasur parasysh pamundësinë për të eliminuar imobilizimin. Pas katër muajsh, pacientëve iu dha një pyetësor ku pyeteshin nëse kishin ndonjë dhimbje apo probleme funksionale dhe përgjigjet e tyre u përllogaritën me Olerud Molander Ankle Score (OMAS).
Hulumtimi nuk tregoi dallime statistikisht të rëndësishme në rezultatet e pacientëve që përdorën allçi dhe atyre që përdorën tutor. Rezultatet ishin gjithashtu të ngjashme kur krahasoheshin ata që kishin bërë dhe ata që nuk kishin bërë operacion. Sipas ekspertëve, pacientët duhet t'i diskutojnë preferencat me mjekun e tyre, i cili duhet të marrë parasysh gjetjet e studimit. "Mbajtja e kaviljes në mënyrë të palëvizshme, vërtet u jep mundësi kockave të shërohen, por nëse të gjitha nyjat rreth tyre ngurtësohen dhe të gjithë muskujt dobësohen, situata nuk është ideale. Me tutorin, mund të bëhen ushtrime të lëvizjes dhe të ecet për të inkurajuar mbajtjen e peshës. Në teori, kjo mund të çojë në një rënie të ngurtësisë së nyjave dhe reduktim të muskujve. Në praktikë, megjithatë, nuk ka treguar rezultate më të mira funksionale", përfundon Kearney.
BMJ 2021. Doi: 10.1136/bmj.n1506
https://doi.org/10.1136/bmj.n1506