maj242023
Menopauza. Terapia hormonale, linja e parë e trajtimit në mungesë të faktorëve të rrezikut
Një përmbledhje e re e publikuar në "CMAJ", rekomandon terapinë hormonale të menopauzës, e njohur historikisht si terapia zëvendësuese hormonale (HRT), si trajtim të linjës së parë te gratë pa faktorë rreziku.
"Simptomat e menopauzës, të tilla si afshet e nxehta, djersitjet gjatë natës dhe shqetësimet e gjumit, mund të ndikojnë në shëndetin, cilësinë e jetës, produktivitetin në punë dhe mund të shfaqen deri në 10 vjet para ciklit të fundit menstrual të zgjasin për shumë se 10 vjet", shpjegon Iliana Lega nga Universiteti i Torontos në Kanada, autore kryesore e studimit.
Rishikimi përmbledh të dhënat e fundit për diagnostikimin dhe trajtimin e simptomave të menopauzës, si dhe rreziqet dhe përfitimet e terapive. Përfitimet e terapisë hormonale të menopauzës përfshijnë reduktimin me 90% të afsheve të nxehta te pacientet me simptoma të moderuara deri në të rënda, përmirësim të lipideve të gjakut dhe reduktim të mundshëm të rrezikut për diabet, si dhe më pak fraktura të ijeve, shtyllës kurrizore dhe kockave të tjera. Megjithëse studimet e mëparshme kanë treguar një rrezik në rritje për kancer të gjirit, ky rrezik është shumë më i ulët te gratë 50-59 vjeç dhe tek ato që e fillojnë trajtimin në 10 vitet e para të menopauzës. Disa studime tregojnë një rrezik në rritje për iktus ishemik te gratë mbi 60 vjeç që e fillojnë terapinë 10 vjet pas fillimit të menopauzës, rrezik i cili ulet për ato më të reja se 60 vjeç.
Te gratë me faktorë rreziku ose që nuk duan të marrin terapi hormonale të menopauzës, terapitë johormonale, të tilla si disa frenues selektiv të rimarrjes së serotoninës (SSRI) dhe medikamente të tjera, mund të ndihmojnë edhe në lehtësimin e simptomave. Pavarësisht disa shqetësimeve në lidhje me një rrezik të shtuar për ngjarje kardiovaskulare të shkaktuara nga terapia hormonale e menopauzës, provat në rritje tregojnë se terapia lidhet me një reduktim të mundshëm të sëmundjes koronare të zemrës te gratë më të reja në periudhën e menopauzës, veçanërisht ato që fillojnë trajtimin para moshës 60 vjeç ose brenda 10 viteve nga fillimi i menopauzës.
"Është e rëndësishme që mjekët të pyesin për simptomat e pranishme para dhe gjatë menopauzës dhe të diskutojnë trajtimet me pacientet bazuar në preferencat e tyre personale dhe faktorët e mundshëm të rrezikut", përfundojnë autorët.
CMAJ 2023. Doi: 10.1503/cmaj.221438
http://doi.org/10.1503/cmaj.221438