tet202022
Migrena. Nga se shkaktohet mbindjeshmëria ndaj dritës
Sipas një studimi të publikuar në Journal of Headache and Pain, mbindjeshmëria ndaj dritës që shoqëron migrenën ndodh për shkak të sinkronizimit të tepërt të neuroneve, gjë e cila çon në një reagim të ekzagjeruar të korteksit vizual.
Edhe pse gjatë krizave të migrenës aktiviteti i neuroneve të korteksit vizual ulet, studiuesit kanë vënë re se transmetimi i stimujve pamor është i mjaftueshëm.
"Studimi ynë konfirmon se, gjatë krizave të migrenës, neuronet në korteks janë më pak aktivë në përgjigje të një stimuli vizual. Te njerëzit të cilët vuajnë nga dhimbja e kokës, kjo ndodh për shkak të forcimit të neuroneve "frenues" roli i të cilëve është të ulin aktivitetin e trurit.
Megjithatë, më pak aktivitet nuk do të thotë domosdoshmërisht që informacioni të mos vazhdojë të udhëtojë: jo vetëm që neuronet vazhdojnë të flasin me njëri-tjetrin, por neuronet frenues sinkronizojnë komunikimet duke i paketuar ato më shpejt sesa ndodh pa migrenë, duke çuar kështu në një transmetim shumë efektiv të informacionit vizual", shpjegon autori kryesor i studimit Nicolò Meneghetti nga Shkolla Superiore Sant'Anna në Piza.
Ekspertët kanë studiuar efektet e ndryshimeve sinaptike në korteksin vizual të minjve, dhe kanë vënë në dukje se gjatë krizave të migrenës, neuronet janë në të vërtetë më pak aktivë, por sinkronizohen në mënyrë aq të shpejtë sa që përgjigja e korteksit vizual përhapet menjëherë dhe çon në mbindjeshmëri.
Më pas, ata studiuan sjelljen e neuroneve duke përdorur një model matematikor. Rezultatet e këtij studimi hapin rrugën për kërkime të reja në lidhje me problemet e shikimit të shkaktuara nga migrena, dhe gjithashtu lejojnë hetimin e sëmundjeve të tjera që shkaktojnë mbindjeshmëri ndaj dritës.
"Migrena ka disa karakteristika të përbashkëta me sëmundjet e tjera, siç është epilepsia. Prandaj, modeli ynë mund të ndihmojë për të shpjeguar disa karakteristika të këtyre patologjive dhe për të gjetur zgjidhje të reja për t'i luftuar ato", përfundon Meneghetti.
Journal of Headache and Pain 2022. Doi: 10.1186/s10194-022-01495-9
https://doi.org/10.1186/s10194-022-01495-9