dhj232015
Kanceri i gjirit në stadin IV: kirurgjia lokale zgjat mbijetesën
Një studim i publikuar ne Jama Surgery tregon që midis femrave me karcinomë mamare në stadin IV, mbijetesa përmirësohet akoma më shumë, sidomos në ato që i nënshtrohen kirurgjisë lokale. Rreth 5-10% e rasteve me kancer të gjirit paraqiten në stadin IV dhe menaxhimi i tyre, edhe pse i intereson vetëm një pjese të vogël pacientësh, mbetet një skenar klinik i zakonshëm duke parë prevalencën e sëmundjes në vendet e zhvilluara. "Trajtimi lokal i tumorit primar në stadin IV, shpesh i konsideruar i pakurueshëm është akoma subjekt debati", shprehet Mary Schroeder e Universitetit të Iowa në Iowa City, që bashkë me kolegët ka përdorur të dhënat e Surveillance, Epidemiology dhe End Results (Seer) për të vlerësuar impaktin e kirurgjisë në 21.372 gra amerikane me kancer të gjirit në fazën IV, të diagnostikuar midis 1988 dhe 2011 dhe që nuk i janë nënshtruar radioterapisë si pjesë e ciklit të parë të trajtimit. Të dhënat e mbledhura tregojnë së në periudhën e studimit mbijetesa mesatare është rritur nga 20 në 26 muaj dhe se qasja kirurgjikale lidhet me një përmirësim të mbijetesës. "Në më shumë se 7 mijë gra që kanë marrë diagnozën para vitit 2002, mbijetesa prej 10 vitesh ose më shumë, është vënë re në 9,6% të të operuarave, përkundrejt 2,9% të atyre që nuk kanë kryer ndërhyrjen", shkruajnë kërkuesit, duke theksuar se ndër parametrat klinikë të lidhur me një mbijetesë të zgjatur janë: dimensionet e tumorit, gjendja e receptorëve dhe viti i diagnozës. Në një editorial Lisa Newman e Universitetit të Michigan në Ann Arbor komenton: "Incidenca e kancerit të gjirit është më e ulët në gratë afro-amerikane krahasuar me ato kaukaziane, por autorët raportojnë një prevalencë të lartë në mënyrë disproporcionale të afro-amerikaneve me tumor në stadin IV, që megjithatë kanë një të tretën probabilitet më pak për t'iu nënshtruar kirurgjisë". Sipas kërkueses ky mosbalancim ngre pyetje rreth mosbarazisë për të përzgjedhur paciente për të filluar ndërhyrjen. "Një pikë tjetër refleksioni është që incidenca e kancerit të gjirit në stadin IV, është dyfishuar midis grave të reja amerikane", vazhdon Newman, duke përmbyllur se fatmirësisht studimi dëshmon se më të rejat kanë më shumë mundësi të operohen dhe se mosha nën 45 vjeç është një faktor parashikues i pavarur i mbijetesës së zgjatur.
Jama Surg. 2015. doi: 10.1001/jamasurg.2015.4539
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26629881
Jama Surg. 2015. doi: 10.1001/jamasurg.2015.4507
http://archsurg.jamanetwork.com/article.aspx?articleid=2474158
Përktheu: Erjola Taga