Gjinekologji

mar262018

Ekspozimi ndaj rrezatimit të aparaturave dhe rrjeteve wireless, shton rrezikun për abort spontan

Një studim në lidhje me ekspozimin e shtatzënave ndaj rrezatimeve jo jonizuese të krijuara nga fushat magnetike mjedisore, botuar në "Scientific Reports", ka zbuluar një normë dukshëm më të lartë të aborteve, duke siguruar prova të reja rreth dëmeve të mundshme që ka mbi shëndetin kjo lloj energjie rrezatuese.

"Ndonëse rreziqet nga rrezatimi jonizues janë të njohura dhe përfshijnë sëmundje rrezatimi me të përziera dhe të vjella, kancere dhe dëmtime gjenetike, provat mbi dëmin e mundshëm që shkakton te njerëzit rrezatimi jo jonizues, janë të kufizuara", thotë De-Kun Li, kërkuesi kryesor i studimit të financuar nga Instituti Kombëtar i Shkencave të Shëndetit Mjedisor dhe Riprodhues, ekspert i epidemiologjisë perinatale, Kaliforni.

"Rrezatimi jo jonizues prodhohet nga vënia në punë e pajisjeve elektrike të tilla si pajisje shtëpiake, linjat e energjisë dhe transformatorët, aparaturat dhe rrjetet wireless që gjenerojnë fusha magnetike mjedisore", shpjegojnë studiuesit, që i kanë kërkuar një grupi grash shtatzëna mbi moshën 18-vjeçare të mbanin për 24 orë një pajisje portative monitoruese të fushës magnetike, pak më e madhe se një pako letrash bixhozi.

"Kemi kryqëzuar matjet e intensitetit të fushës magnetike mjedisore me rezultatet e shtatzënisë te 913 gra shtatzëna, të ndjekura nga Kaiser Permanente Kalifornia Veriore, shpjegojnë kërkuesit. Nga rezultatet del se një abort spontan është verifikuar në 10,4% të grave me nivelin më të ulët (një e katërta) të ekspozimit ndaj rrezatimeve jo të jonizuara të gjeneruara nga fushat magnetike në një ditë të zakonshme, përballë 24.2% të vëzhguara te gratë me nivele ekspozimi më të larta (2°, 3° e 4° të katërtat), të cilat kanë paraqitur një rrezik relativ thuajse tre herë më të lartë.

"Norma e abortit spontan të sinjalizuar në popullsinë e përgjithshme është ndërmjet 10%-15%", kujtojnë autorët. "Shpresojmë që këto të dhëna t'u hapin rrugë studimeve të mëtejshme që do të sqarojnë rreziqet potenciale të fushave magnetike mjedisore, për shëndetin njerëzor".

 

Scientific Reports 2017. Doi: 10.1038/s41598-017-16623-8
https://www.nature.com/articles/s41598-017-16623-8


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>