sht192023
Duhanpirja në shtatzëni. Cigaret elektronike përkundrejt leukoplasteve të nikotinës
Sipas një studimi të botuar në "NIHR Journals Library", cigaret elektronike kanë rezultuar të jenë më efektive sesa leukoplastet e nikotinës për gratë shtatzëna që duan të lënë duhanin.
"Pirja e duhanit gjatë shtatzënisë mund të shkaktojë dëm për fetusin në rritje dhe udhëzimet aktuale rekomandojnë që duhanpirëseve shtatzëna që e kanë të vështirë ta lënë duhanin duhet t'u jepen produkte zëvendësuese të nikotinës, të cilat zakonisht janë leukoplaste me përmbajtje nikotine, ndërsa efektiviteti dhe siguria e cigareve elektronike janë ende të panjohura", sipas autorëve, me në krye Dunja Przulj nga Universiteti Queen Mary në Londër.
Për të hedhur më shumë dritë mbi këtë temë, Przulj dhe kolegët krahasuan efikasitetin dhe sigurinë leukoplasteve me përmbajtje nikotine dhe cigareve elektronike të përdorura gjatë shtatzënisë në një studim shumëqendror, të kontrolluar me përzgjedhje të rastësishme që përfshiu 1,140 duhanpirëse të rregullta në javën e 12-24 të shtatzënisë, të cilat ishin të motivuara për të lënë duhanin, pa pasur ndonjë preferencë për të përdorur leukoplastet e nikotinës ose cigaret elektronike.
Pjesëmarrëseve të caktuara në grupin e cigareve elektronike iu dërguan e-cig të cilat mund të rimbusheshin me dy shishe 10 ml me lëng likuid me shije duhani (18 mg nikotinë), ndërsa gratë shtatzëna që përdorën leukoplaste nikotine iu dërgua një sasi për 2 javë prej 15 mg/16 orë nikotine. Këto sasi u siguruan për 8 javë dhe pjesëmarrëset u inkurajuan të rimbushnin dozat e tyre kur e ndjenin të nevojshme. Për më tepër, pjesëmarrëset morën edhe telefonata mbështetëse përpara datës së pritshme të përfundimit të trajtimit, në përfundim dhe çdo javë për 4 javët në vijim.
"Parametri primar i efikasitetit ishte abstinenca e zgjatur e vërtetuar në fund të shtatzënisë, ndërsa ai dytësor përfshinte abstinencën e vetë-raportuar në periudha të ndryshme, respektimin e trajtimit dhe shfaqjen e ngjarjeve të padëshiruara si pesha e ulët e lindjes, hospitalizimet, aborti spontan, lindjet e vdekura dhe ato të parakohshme", vijon Przulj. Nga rezultatet e marra del se pothuajse dyfishi i grave shtatzëna lanë duhanin pas përdorimit të cigareve elektronike, krahasuar me ato që përdorën leukoplastet me përmbajtje nikotine.
"Krahasuar me leukoplastet e nikotinës, te duhanpirëset shtatzëna që kërkojnë ndihmë, cigaret elektronike janë më efektive, nuk paraqesin rreziqe më të mëdha për ngjarje të padëshiruara dhe mund të zvogëlojnë incidencën e peshës së ulët të lindjes", përfundojnë studiuesit.
NIHR Journals Library 2023. Doi: 10.3310/AGTH6901
https://doi.org/10.3310/AGTH6901