pri222024
Projektligji mbi shëndetin riprodhues
Lejohen "nënat surrogato", edhe në Shqipëri
Në Shqipëri pritet të ligjërohen lindjet me nënë "surrogato" dhe teknikat e riprodhimit të asistuar, i njohur si praktika IVF. Ministria e Shëndetësisë e ka gati tanimë projektligjin, i cili pritet të kalojë për diskutim dhe konsultim në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë e më pas të marrë miratim. Në vendin tonë janë kryer deri më tani procedura të fertilizimit in vitro, por kjo vetëm në spitale apo klinika jo publike, edhe pse nuk ka ekzistuar një ligj për të.
Nëse drafti i propozuar do të miratohet, atëherë çdo grua e cila do ta kishte të pamundur për shkaqe shëndetësore të mbetej shtatzënë, ka të drejtën që të ketë një fëmijë përmes një marrëveshje me shkrim me një grua tjetër, e cila duhet të jetë mbi 25 vjeç e të ketë lindur më parë të paktën një fëmijë tjetër.
Në nenin 22 të draftit të propozuar, specifikohet qartë se "Gruaja që dëshiron të ketë një fëmijë duhet të jetë infertile, ose ta ketë të pamundur të ketë një shtatzëni në trupin e saj për arsye anatomike, mjekësore ose të një risku të lartë për shëndetin e saj, ndërkohë që ndalohet që gruaja surrogate të përdorë vezët e saj për arritjen e shtatzënisë. Të gjitha procedurat dhe kushtet e tjera, ligji kërkon që të përcaktohen me një urdhër të ministrit të shëndetësisë."Projektligji qartëson edhe kushtet e abortit në Shqipëri, të papërcaktuara qartë në ligjin aktual në fuqi "Për shëndetin riprodhues", të miratuar në vitin 2002.
Në projektligj janë parashtruar disa ndryshime edhe për abortin.
Ligji njeh të drejtën për ndërprerje vullnetare të shtatzënisë në një institucion shëndetësor të akredituar publik ose privat. Aborti mund të kryhet brenda katërmbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë dhe duhet të plotësojë disa kërkesa, të tilla si: "Të kryhet nga një mjek specialist obstetër gjinekolog; Të kryhet me pëlqimin e shprehur me shkrim të gruas shtatzënë; Të kryhet me pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor për të miturat nën moshën 16 vjeç. Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të japin vetë pëlqimin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet te informohen për vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënime, detyrim, keqtrajtim ose braktisje".
Ndërsa aborti për arsye shëndetësore mund të bëhet deri në javën e njëzet e dytë të shtatzënisë, nëse jeta ose shëndeti i gruas është në rrezik serioz. Vendimi për ndërprerjen duhet të konfirmohet paraprakisht nga Komisioni Posaçëm. Konfirmimi nuk do të kërkohet në rastet urgjente të rrezikut të menjëhershëm kërcënues për jetën. Gjithashtu, deri në javën e njëzet e dytë të shtatzënisë lejohet aborti, kur shtatzënia është rezultat i përdhunimit, marrëdhënieve seksuale me dhunë ose i një krimi tjetër seksual, sipas vlerësimit të kryer nga Komisioni i Posaçëm.
Ngrirja e qelizave riprodhuese
Ministria e Shëndetësisë kërkon, që nëpërmjet ligjit të njihet edhe ruajtja e qelizave riprodhuese me metodën e ngrirjes.
"Qelizat riprodhuese, embrioni dhe indi vezorial që teprojnë nga aplikimi i teknikave të fertilizimit in vitro dhe që nuk i transferohen gruas në një cikël të RMA, mund të ruhen në bankat e autorizuara....Individi ka të drejtë të kërkojë nga institucioni që ruan qelizat riprodhuese të tij, asgjësimin e tyre pas një kërkese me shkrim nga të dy partnerët", parashikohet në nenin 23 të pr/ligjit.
Ministria përkatëse kërkon ndryshime edhe në teknikat e riprodhimit mjekësor të asistuar in vitro, i përdorur për parandalimin e disa sëmundjeve me origjinë gjenetike, që mund të transmetohen nga prindi te fëmija. Përdorues të këtyre teknikave do të jenë çiftet heterologe të martuara, ose që bashkëjetojnë, si dhe gratë pa partner. Embrionet dhe vezët e pafekonduara mund të ruhen në ngrirje deri sa gruaja te mbushë moshën 53 vjeç. Pas kësaj moshe, vezët ose embrionet duhet të asgjësohen, nëse nuk dhurohen.
Drafti i propozuar nga Ministria e Shëndetësisë ndalon përdorimin e embrionit për qëllime tregtare dhe eksperimentale, manipulimin gjenetik në embrion, trafikimin e qelizave riprodhuese dhe embrioneve, përzierjen e qelizave riprodhuese, kryerjen e klonimit në qeniet njerëzore, kryerjen e riprodhimit in vitro mes familjarëve, etj.
Alma Demiraj