qer182018
Transplantimi i mitrës ndez shpresat, por mbetet një procedurë eksperimentale
Mundësia e lindjes pas një transplantimi të mitrës është një hap i rëndësishëm përpara për gratë me uterus jofunksional, por procedura mbetet eksperimentale dhe para se ajo të përdoret gjerësisht, do të jenë të nevojshme studime të reja të kontrolluara klinike. Këto janë konkluzionet e publikuara në "BJOG", një revistë ndërkombëtare për obstetrikë dhe gjinekologji, nga një grup hulumtuesish japonezë të koordinuar nga Iori Kisu, profesor i asociuar i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në Universitetin Keio, Japoni.
"Megjithëse përparimet e fundit në riprodhimin e asistuar kanë përmirësuar infertilitetin te shumë njerëz, gratë me mitër jofunksionale kanë mbetur të përjashtuara deri në zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me transplantin e mitrës", shkruajnë studiuesit, duke kujtuar se fëmija i parë nga një grua me transplantim të mitrës ka lindur në vitin 2014 në Universitetin e Gothenburgut, Suedi. Më vonë, në vitin 2017, është regjistruar një lindje e dytë në Qendrën Mjekësore të Universitetit Baylor, Texas.
"Në total, 42 grave në botë u është transplantuar mitra dhe deri në maj 2017, nga këto gra kanë lindur 11 fëmijë", thotë Kisu, duke saktësuar se procedura është ende eksperimentale, pasi mungojnë protokollet e standardizuara. Sipas autorëve, nevojiten kritere më të hollësishme, duke përfshirë moshën e donatores dhe marrëses.
"Shumë grupe që kryejnë transplante të mitrës kërkojnë një limit moshor 35-40 vjeç për marrësen dhe 55-65 vjeç për donatoren, por ndikimi i moshës mbi suksesin e transplantit është ende i paqartë", thekson autori, duke shtuar se gratë me sëmundje-Rokitankshy Mayer-Kuster-Hauser (MRKH), sindromë në të cilën vagina dhe mitra mungojnë ose janë pak të zhvilluara, duhet t'i nënshtrohen një rikonstruksioni vaginal para transplantimit.
"Lindja e parë nga një mitër e transplantuar ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe shumë vende kanë filluar të zbatojnë përdorimin e saj klinik, deri tani me pak sukses. Siç del nga analiza jonë, përhapja e gjerë e transplantimit të mitrës si një trajtim i ri dhe i suksesshëm nuk është i mundur pa studime klinike më rigoroze, pa trajnime më të thella, si dhe pa bashkëpunim ndërkombëtar dhe shkëmbimin e informacioneve dhe të dhënave", përfundojnë autorët.
BJOG. 2018 Jun 4. doi: 10.1111/1471-0528.15230
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29869370