gus12018
Puberteti i parakohshëm mund të shkaktohet nga metabolizmi i nënës
Në një studim të zhvilluar me më shumë se 15.000 vajza të kulturave dhe etnive të ndryshme dhe me nënat e tyre, mbipesha dhe hiperglicemia e nënës kanë qenë të lidhura me fillimin më të hershëm të pubertetit te vajzat 6-11 vjeçe.
"Dimë se pesha e nënës mund të ndikojë në peshën e fëmijëve dhe po mësojmë se edhe mjedisi uterin mund të ndikojë në kohën e zhvillimit të ardhshëm të pubertetit te pasardhësja, gjë që ka një shpjegim, duke qenë se truri njerëzor zhvillohet në uterus dhe truri rilëshon hormone që ndikojnë në pubertet", thotë Ai Kubo (Kaiser Permanente, Kalifornia e Veriut), autore kryesore e studimit.
Puberteti i parakohshëm shton rrezikun për rezultate negative mbi shëndetin, të tilla si obeziteti, diabeti i tipit 2, sindroma e vezores policistike dhe kanceri në adoleshencë e në moshë të rritur dhe ka qenë e lidhur me një rrezik më të lartë për rezultate negative emotive dhe të sjelljes, mes të cilave: depresion, ankth, nisje e marrëdhënieve të hershme seksuale dhe shtatzëni. Në vitin 2010, pediatrët e Kaiser Permanente të Kalifornisë së Veriut kanë nisur të dokumentojnë rregullisht stadet e Tannerit në zhvillimin e pubertetit në kartelat klinike elektronike gjatë kontrolleve pediatrike rutinë dhe më tej, i kanë lidhur kartelat klinike të vajzave, me ato të nënave të tyre.
Kërkuesit kanë zbuluar kështu se obeziteti (indeks i masës trupore 30 ose më shumë) dhe mbipesha (indeks i masës trupore 25-30) te nënat, ishin të lidhura me një mundësi më të madhe, respektivisht prej 40% dhe 20% për një zhvillim të parakohshëm të gjirit te vajzat. Në studim është vënë re edhe një ndryshim prej shtatë muajsh në fillimin e zhvillimit të gjoksit te vajzat e nënave obeze, krahasuar me vajzat e nënave nën peshë.
Përsa i përket, nga ana tjetër, zhvillimit të qimeve pubike, janë gjetur lidhje të këtij lloji, por me dallime në bazë të racës dhe të etnisë. Sipas kërkuesve, ekzistonte më tej një lidhje domethënëse mes hiperglicemisë gjatë shtatzënisë te nënat dhe fillimit të zhvillimit të gjoksit te bijat, por jo te nënat me diabet gjestacional, ndoshta sepse këto të fundit i kanë kushtuar më shumë rëndësi peshës dhe dietës.
Am J Epidemiol. 2018. doi: 10.1093/aje/kwy040
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29554198