tet192018
Jo vetëm kompresioni. Shërimin e ulcerave venoze e ndihmojnë edhe ushtrimet
Pacientët me ulcera venoze në këmbë, që i shtojnë edhe një ushtrim fizik terapisë kompresuese, kanë më shumë mundësi të shërohen, krahasuar me ata që aplikojnë vetëm terapinë kompresuese, sipas rezultateve të një metanalize të publikuar në "JAMA Dermatology".
"Ushtrimi është rekomanduar si një trajtim shtesë për ulcerimin venoz të këmbëve, për të përmirësuar funksionin e pompës muskulare të pulpës. Megjithatë, lidhja që ekziston mes ushtrimit dhe shërimit të ulcerave venoze nuk është studiuar siç duhet dhe efikasiteti i ndërhyrjeve të ndryshme nëpërmjet ushtrimit, nuk është specifikuar", shpjegon Andrew Jull (Universiteti i Auklandit në Zelandën e Re), autor kryesor i studimit. Kërkuesit kanë shqyrtuar të dhënat e pesë studimeve te 190 të rritur me ulcera venoze të këmbëve dhe në trajtim me terapi kompresive standard, që janë përzgjedhur në mënyrë rastësore për t'iu nënshtruar një programi ushtrimesh fizike ose asnjë ushtrimi. Në përgjithësi, në 61% të pacientëve që kanë praktikuar ushtrimin fizik, është arritur shërimi i ulcerës në 12 javë, përkundër 46% tek ata që nuk kanë praktikuar ushtrime.
"Të dhënat duken të mjaftueshme për t'i shtyrë mjekët të marrin në konsideratë mundësinë për t'iu rekomanduar një rezistencë të thjeshtë progresive dhe aktivitet aerobik, pacientëve të përshtatshëm me ulcerë venoze, në pritje të kërkimeve të mëtejshme".
Regjimet e aktivitetit fizik, që përfshinin ushtrime të rezistencës progresive, siç është ngritja e thembrës, nëse shtohet edhe aktivitet tjetër, siç është ecja, kanë rezultuar më efikaset.
"Tani, jemi të autorizuar të rekomandojmë ushtrime për pacientët me ulcera venoze të këmbëve dhe presim të mësojmë më me saktësi se si t'i karakterizojmë në detaje këto ushtrime", shkruan në një editorial shoqërues Robert Kirsner (Universiteti i Majamit).
JAMA Dermatol. 2018. doi: 10.1001/jamadermatol.2018.3281
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30285080
JAMA Dermatol. 2018. doi: 10.1001/jamadermatol.2018.2926
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/30285045