dhj182018
Lind fëmija i parë në botë, nga mitra e transplantuar prej një dhurueseje të vdekur
Një artikull i publikuar në "The Lancet", me autore kryesore Dani Ejzenberg, gjinekologe në Spitalin Universitar të San Paolos në Brazil, përshkruan rastin e një gruaje që ka kryer një transplant të mitrës duke marrë atë të një dhurueseje të vdekur dhe më pas, i ka dhënë jetë një fëmije.
Kjo është ngjarja e parë e kurorëzuar me sukses pas 10 transplanteve të mitrës nga dhuruese të vdekura që janë kryer në Shtetet e Bashkuara, Republikën Çeke dhe në Turqi, të cilat nuk janë pasuar nga lindja e një foshnjeje të gjallë. "Vogëlushja, e lindur me një prerje cezariane, pas 35 javësh e tre ditësh, peshonte 2.550 gramë në momentin e lindjes", shkruajnë kërkuesit, duke shtuar se transplanti i uterusit, i kryer në shtator 2016, kur marrësja ishte 36 vjeçe, tregon se teknika është e realizueshme dhe se mund t'iu ofrojë grave me infertilitet uterin, aksesin në një gamë më të gjerë dhuruesesh të mundshme.
"Numri i personave që impenjohen për të dhuruar organet pas vdekjes është shumë më i lartë sesa i atyre që jetojnë", konfirmon Ejzenberg, duke shtuar gjithsesi se, pasojat afatgjata të transplantit të uterusit nga dhuruese të vdekura duhet të verifikohen ende edhe teknika duhet të perfeksionohet. "Anasjelltas, fëmija i parë pas një transplanti të uterusit të një dhurueseje të gjallë ka lindur në Zvicër në 2013, pas një totali prej 39 procedurash nga të cilat kanë lindur 11 foshnje të gjalla", shpjegon gjinekologia braziliane, duke kujtuar se infertiliteti godet rreth 10-15% të çifteve në moshë riprodhuese në të gjithë botën dhe që rreth një grua në 500, ka probleme uterine.
Në rastin brazilian, marrësja kishte lindur pa mitër për shkak të një gjendjeje të rrallë të quajtur sindroma e Mayer-Rokitansky-Küster-Hauser, ndërsa dhuruesja dyzet e pesë vjeçare kishte vdekur për shkak të një iktusi. Pesë muaj pas transplantit të uterusit, nuk kishte shenja refuzimi, skanimet ekografike ishin normale dhe marrësja kishte menstruacione të rregullta. "Ovocitet e femrës, të fekonduara dhe të ngrira më parë, janë implantuar në uterus shtatë muaj më pas dhe pas 10 ditësh, shtatzënia ka filluar të zhvillohet", shpjegojnë kërkuesit. Dhe Ejzenberg përfundon: "Pas shtatë muajsh dhe 20 ditësh, kur rasti është paraqitur në "The Lancet", nëna vijonte të ushqente foshnjën me gji dhe vogëlushja peshonte 7,2 kg."
Lancet 2018. Doi: 10.1016/S0140-6736(18)31766-5
https://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(18)31766-5/fulltext