Gjinekologji

mar42019

Kolestaza e shtatzënisë. Një analizë gjaku do të identifikojë gratë në rrezik për dëmtime të fetusit

Sipas një studimi të ri të publikuar në "Lancet", gratë me shtatzëni me një fëmijë dhe me kolestazë intrahepatike të shtatzënisë, kanë rrezik më të lartë për të lindur një fëmijë të vdekur, por ky rrezik ka të bëjë më së shumti me ato që kanë përqendrime të acidit biliar në gjak, të paktën 100 μmol/L.

Ky zbulim mund t'i ndihmojë mjekët të identifikojnë gratë më të rrezikuara. Kështu, mund të ndërhyhet që të parandalohet vdekja në uterus, nëpërmjet një analize të thjeshtë gjaku, duke i dhënë mundësi pjesës më të madhe të grave me rrezik të ulët, që ta çojnë përpara normalisht shtatzëninë. "Kolestaza intrahepatike e shtatzënisë është e lidhur me rezultate të ndryshme perinatale, por lidhja me përqendrimin e shënjuesve specifikë biokimikë nuk është e qartë. Pikërisht për këtë, kemi dashur të raportojmë efektet e kundërta perinatale të sëmundjes, me përqendrimet e acidit biliar në gjak dhe të përcaktohet nëse vlera të veçanta kanë qenë të lidhura me rrezikun për të lindur fetus të vdekur dhe për lindje të parakohshme", shpjegon Caroline Ovadia (Kolegji Mbretëror, Londër), autore kryesore e studimit.

Kërkuesit kanë vlerësuar 109 studime, nga të cilat ka dalë se mundësia për të lindur fëmijë të vdekur është verifikuar te 45 (0,83%) nga 4.936 gra me kolestazë intrahepatike të shtatzënisë, krahasuar me 519 (0,32%) nga 163.947 shtatzëni kontrolli. Te shtatzënitë me një fëmijë, vdekshmëria fetale është e lidhur me përqendrimin e acidit biliar të përgjithshëm, por jo me vlerën e alaninë aminotransferazës. Gjithnjë për shtatzënitë me një fëmijë, prevalenca e vdekshmërisë fetale ka qenë 3 nga 2.310 raste të kolestazës intrahepatike të shtatzënisë te gratë me acide biliare totale në gjak, më të ulëta se 40 μmol/L, krahasuar me katër nga 1.412 raste me acide biliare totale prej 40-99 μmol/L, dhe 18 nga 524 raste me acide biliare 100 μmol/L ose më shumë. Sipas autorëve, duke qenë se pjesa më e madhe e grave me kolestazë intrahepatike në shtatzëni paraqet përqendrime të acideve biliare më pak se kjo vlerë, është e mundur që rreziku për vdekje fetale të jetë në këtë rast, i ngjashëm me atë të grave shtatzëna në popullsinë e përgjithshme. Është e rëndësishme ama që testet për të vlerësuar acidin biliar të zhvillohen rregullisht, deri në çastin e lindjes.


Lancet 2019. Doi: 10.1016/S0140-6736(18)31877-4
https://www.thelancet.com/journals/lancet/article/PIIS0140-6736(18)31877-4/fulltext


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>