jan232020
Një medikament antidiabetik mund të ndihmojë gratë që kanë aborte të përsëritura
Një studim i sapobotuar në "EBioMedicine" dhe i kryer nga studiues të Shkollës Mjekësore "Warwick", në bashkëpunim me spitalet universitare të Coventry dhe Warwickshires, tregon se antidiabetiku sitagliptinë është në gjendje të shtojë qelizat staminale në mitër, duke bërë të mundur krijimin e kushteve për një shtatzëni fiziologjike.
Në eksperiment janë përfshirë 38 gra të moshës 18 deri në 42 vjeçe, që kishin patur aborte të përsëritura, mesatarisht nga pesë të tilla, që u trajtuan me sitagliptinë orale ose placebo për tre cikle menstruale, me biopsi të kryera në fillim dhe në fund të terapisë, me qëllim verifikimin e numrit të qelizave staminale. Dhe, rezultatet flasin qartë: qelizat staminale uterine u rritën mesatarisht me 68% në grupin e sitagliptinës, në krahasim me asnjë rritje të konsiderueshme në grupin placebo. "Nëse të dhënat do të konfirmoheshin nga studime të mëtejshme, sitagliptina do të ishte terapia e parë e synuar posaçërisht për qelizat staminale të mitrës, për të parandaluar abortin, thotë Jan Brosens, studiues në Shkollën Mjekësore "Warwick" dhe këshillues i shëndetit riprodhues në spitalet e Universitetit Coventry dhe Warwickshire, duke kujtuar se hulumtimet e mëparshme të bëra nga i njëjti ekip kishin zbuluar se mungesa e qelizave staminale në mitër mund të shkaktonte aborte të përsëritura.
"Megjithëse abortet spontane mund të varen nga gabimet gjenetike në embrion, një epitel jonormal uterin mund të shkaktojë defekte kromozomike, që qëndrojnë në bazë të humbjes së fetusit", shkruajnë studiuesit, duke shpresuar se ky trajtim i ri mund të parandalojë këto humbje duke zvogëluar ngarkesën fizike dhe psikologjike të shkaktuar nga abortet e përsëritura. Studimi u krye në Qendrën Kombëtare "Tommy" për Kërkime mbi Abortet dhe Jane Brewin, drejtori menaxhues entit, shpjegon: "Prej një kohe të gjatë, shumë specialistë kanë argumentuar se aborti nuk është i parandalueshëm, duke i lënë prindërit e ardhshëm me shpresa të dobëta për shkak të mungesës së opsioneve terapeutike. Ky studim, në fakt, hap rrugën për hulumtime të ardhshme me qëllim zbulimin e një trajtimi efektiv që do të reduktojë abortin".
EBioMedicine 2020. Doi: 10.1016/j.ebiom.2019.102597
https://doi.org/10.1016/j.ebiom.2019.102597