shk172020
Klampimi pas ndërhyrjes cezariane. Nuk ka probleme të hemoglobinës materne, nëse bëhet pas një minute
Sipas një studimi të ri të botuar në "Jama", te gratë shtatzëna që i nënshtrohen një lindjeje cezariane të planifikuar, vonesa e klampimit të kordonit umbilikal deri në një minutë, në krahasim me klampimin e menjëhershëm, nuk solli ndryshime të konsiderueshme në ndryshimin e nivelit të hemoglobinës materne në ditën e parë pas operacionit.
"Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve rekomandon një vonesë në klampimin e kordonit umbilikal te foshnjat të paktën 30-60 sekonda pas lindjes. Sidoqoftë, pjesa më e madhe e literaturës që mbështet këtë praktikë vjen nga lindje vaginale me rrezik të ulët dhe nuk ka të dhëna të publikuara që të jenë specifike për ndërhyrjen cezariane. Kjo është arsyeja pse kemi dashur ta vlerësojmë situatën më hollësisht", thotë Stephanie Purisch (Qendra Mjekësore e Universitetit të Kolumbias në Nju Jork), autorja kryesore e studimit.
Studiuesit vlerësuan gjithsej 113 gra që iu nënshtruan cezarianit të planifikuar në dy spitale akademike në Nju Jork. Klampimi i kordonit u bë brenda 15 sekondave pas lindjes në grupin e klampimit të menjëhershëm dhe 60 sekonda pas lindjes, në grupin klampimit të vonuar.
Rezultati kryesor ishte ndryshimi i vlerave të hemoglobinës materne nga para operacionit në ditën pas ndërhyrjes, i përdorur si një tregues i humbjes së gjakut të nënës.
Kështu, niveli mesatar i hemoglobinës para operacionit ishte 12.0 g/dL në grupin e klampimit të vonuar dhe 11.6 g/dL në grupin klampimit të menjëhershëm. Në ditën e parë pas operacionit, niveli mesatar i hemoglobinës ishte 10.1 g/dL në grupin e klampimit të vonuar dhe 9.8 g/dL në grupin e klampimit të menjëhershëm. Kështu pra, nuk u vërejt ndonjë ndryshim domethënës në rezultatin parësor.
Nga 19 rezultatet dytësore të analizuara, 15 nuk kanë treguar asnjë dallim domethënës. Niveli mesatar i hemoglobinës neonatale, i disponueshëm për 90 të sapolindur (79,6%), ka qenë dukshëm më i lartë në grupin e klampimit të vonuar (18,1 g/dL), krahasuar me atë të klampimit të menjëhershëm (16,4 g/dL).
Në një editorial shoqërues, Heike Rabe (Universiteti i Suseksit) dhe Ola Andersson (Universiteti Lund, në Zviër), nënvizojnë se mbeten akoma për t'u sqaruar dhe për t'u standardizuar manovrat më të sigurta për të sapolindurin, sa i përket shkëputjes nga placenta, jo vetëm përsa i përket kohës para klampimit, por edhe përsa i përket pozicionimit të fëmijës, shtrydhjes së kordonit dhe përdorimit të barnave uterotonike.
JAMA 2019. Doi: 10.1001/jama.2019.15995
https://dx.doi.org/10.1001/jama.2019.15995