maj242021
Menopauza. Ekziston mundësia për të vlerësuar moshën e ardhjes së saj
Një artikull i botuar në "Menopause", revista e Shoqatës së Menopauzës në Amerikën e Veriut (NAMS), përmbledh faktorët që do të na jepnin mundësi të parashikonim se kur një grua do të kalojë menopauzën në mënyrë natyrore.
"Kjo do të jetë e dobishme jo vetëm për planifikimin familjar, por mund të ndihmojë edhe në identifikimin e rasteve të menopauzës së hershme me rrezik për sëmundje kardiovaskulare, depresion dhe osteoporozë, ose menaxhimin e problemeve në periudhën e menopauzës, të tilla si hemorragjitë menstruale të parregullta ose të rënda, simptomat vazomotorike dhe ndryshimet e humorit", shpjegon Stephanie Faubion, drejtoreshë mjekësore e NAMS-it, duke kujtuar se përkundër hulumtimit të kryer, aftësia për të parashikuar saktë moshën e një gruaje në fillimin e menopauzës natyrore, pengohet si nga variacionet individuale mbi kohëzgjatjen e jetës riprodhuese të grave, ashtu edhe nga kohëzgjatja e kalimit nga mosha pjellore në menopauzë.
"Studimet e mëparshme ishin përqendruar në disa bioshenjues specifikë, ndërsa ai i sapobotuar në "Menopause" nënvizon një gamë të plotë të parashikuesve të mundshëm që ndikojnë në moshën e menopauzës natyrore, në një përpjekje për të zhvilluar modele që do ta identifikonin atë", thotë eksperti. Konkluzionet?
"Nivelet më të larta të estradiolit dhe hormonit stimulues të folikulit, ciklet e parregullta menstruale dhe simptomat para menopauzës janë tregues të fortë të faktit që një grua po i afrohet menopauzës. Koha e mbetur ndikohet nga zakonet e jetesës dhe faktorët socio-ekonomikë të tillë si konsumimi i alkoolit, pirja e duhanit, aktiviteti fizik dhe përdorimi i kontracepsionit hormonal", vazhdon Faubioni, duke nënvizuar se të kuptuarit, si të rolit të luajtur nga këta faktorë, ashtu edhe të nivelit të rrezikut të përgjithshëm të një gruaje, mund t'i udhëzojë mjekët në zgjedhjen e opsioneve kontraceptive.
"Ky studim, megjithëse është kryer në një numër të vogël grash, identifikon faktorë të rëndësishëm për vlerësimin e moshës në të cilën një grua do të hyjë në menopauzë, megjithëse kërkohet një hulumtim më i gjerë dhe i thelluar për ta përmirësuar këtë identifikim."
Menopause 2021. Doi: 10.1097/GME.0000000000001774
http://doi.org/10.1097/GME.0000000000001774