Gjinekologji

tet212021

Autizmi dhe analgjezia epidurale. A ekziston një lidhje mes tyre?

Dy studime të kohëve të fundit të botuara në Jama kanë shqyrtuar lidhjen e mundshme midis analgjezisë epidurale gjatë lindjes te gratë dhe çrregullimit të spektrit të autizmit (ASD) te fëmija, një hipotezë mbi të cilën hulumtimet e mëparshme kanë raportuar rezultate kontradiktore. Në përgjithësi, kjo lidhje duket se nuk ekziston. Të dyja studimet janë retrospektive, por janë kryer në popullata të ndryshme.

Studimi i parë përfshiu 388,254 foshnje të lindura në kohë, me lindje vaginale, në British Columbia (Kanada) në periudhën 2000-2014. Gjithsesj, 1.53% e foshnjave të ekspozuara ndaj analgjezisë epidurale gjatë lindjes dhe 1.26% e atyre të paekspozuara, u diagostikuan me ASD. Në një model të përshtatur sipas disa ndryshoreve, të tilla si faktorët sociodemografikë, gjendja e nënës, faktorët e rrezikut, karakteristikat neonatale dhe gjatë lindjes, analgjezia u shoqërua me një rrezik lehtësisht të rritur për ASD (HR 1.09, CI 95 % 1.00-1.15). "Megjithatë, duke pasur parasysh mundësinë e faktorëve të mbetur ngatërrues, që mund të shpjegojnë gjetjet, këto nuk japin prova të forta për të mbështetur lidhjen e hamendësuar", përfundojnë studiuesit.

Për më tepër, asnjë lidhje e rëndësishme nuk është vërejtur në llojet e tjera të analizave. Studimi i dytë nuk gjeti asnjë lidhje të rëndësishme midis analgjezisë epidurale gjatë lindjes dhe ASD-së. Studimi përfshiu gati 480,000 foshnje të lindura gjallë në Danimarkë në periudhën 2006-2013, nga të cilët 19.4% ishin ekspozuar ndaj analgjezisë. Shkalla e incidencës së diagnozës ishte 23.1 për 10.000 vite/njerëz te fëmijët e ekspozuar dhe 18.5 për 10.000 vite/njerëz te fëmijët e paekspozuar (HR e papërpunuar 1.29; 95% CI 1.21-1.37; HR e rregulluar 1.05; 0.98-1.11). Rezultate të ngjashme dolën nga llojet e tjera të analizave. "Këto rezultate duhet t'i sigurojnë mjekët dhe nënat që të marrin në konsideratë metodat për lehtësimin e dhimbjeve gjatë lindjes, si të sigurta dhe efektive", shkruajnë studiuesit.

Sipas autorëve të një editoriali të lidhur, në përdorimin e analgjezisë së lindjes, rreziqet dhe përfitimet duhet të merren parasysh duke u krahasuar me alternativat. Sidoqoftë, edhe pse pacientët dhe mjekët mund të pyesin, shqetësimi për ASD-në nuk duhet të luajë një rol në këtë vendim, duke pasur parasysh rezultatet e studimeve dhe njohurive në lidhje me çrregullimin. "Provat aktuale nuk justifikojnë marrjen parasysh të rrezikut për ASD kur vendoset nëse do të përdoret (nga pacientet) ose rekomandohet (nga profesionistët e shëndetit) analgjezia neuraksiale e lindjes",  përfundojnë ata.


JAMA. 2021. Doi:10.1001/jama.2021.14986.
https://doi.org/10.1001/jama.2021.14986

JAMA. 2021. Doi:10.1001/jama.2021.12655.
https://doi.org/10.1001/jama.2021.12655

JAMA. 2021. Doi:10.1001/jama.2021.15369.
https://doi.org/10.1001/jama.2021.15369


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>