Gjinekologji

dhj212021

Migrena. Ekspozimi ndaj hormoneve në mitër dhe gjinia e fetusit janë të lidhura me rrezikun

Nivelet e hormoneve të cilave u nënshtrohet fetusi në mitër janë potencialisht të lidhura me rrezikun e zhvillimit të migrenës në moshë madhore, sipas një studimi mbi informacionin gjenetik dhe mjedisor që merr në konsideratë bazën më të madhe të të dhënave të binjakëve në botë. Hulumtimi, i publikuar në Frontiers in Pain Research, është gjithashtu i pari që tregon se faktorët gjenetikë të lidhur me rrezikun e migrenës mund të jenë të ndryshëm për burrat dhe gratë. "Ne jemi të parët që tregojmë se femrat me një binjak mashkull janë më të rrezikuara për të zhvilluar migrenë, sesa femrat me një binjake femër dhe ky fakt sugjeron që faktorët prenatalë, ndoshta të lidhur me nivelet e hormoneve në mitër, mund të kontribuojnë në rrezikun e migrenës", shpjegon Morgan Fitzgerald, nga Universiteti i Kalifornisë, San Diego, emri i parë i studimit.

Studiuesit ekzaminuan të dhënat e 51,872 njerëzve që kishin marrë pjesë në studime të mëparshme në regjistrin suedez të binjakëve dhe identifikuan ata që vuanin nga migrena pa aura sipas kritereve të përcaktuara nga Headache Society Classification of Headache Disorders. Për shkak se të dhënat u mblodhën nga binjakët, ekspertët kanë qenë në gjendje të përdornin metoda analitike për të testuar nëse rreziku i migrenës ishte nxitur nga gjene të ndryshme te femrat e meshkujt dhe nëse ndikonte prania e një binjaku të seksit të kundërt në mitër, që besohej se kishte një ndikim në nivelet e hormoneve prenatale. Ekspertët kanë zbuluar se mjedisi para lindjes mund të kontribuojë në rrezikun e migrenës dhe se disa nga faktorët gjenetikë që kontribuojnë në rrezikun e migrenës mund të jenë të ndryshëm midis femrave dhe meshkujve. "Këto janë të rëndësishme sepse sa më shumë të kuptojmë faktorët që kontribuojnë në migrenë dhe në veçanti dallimet midis meshkujve dhe femrave, aq më të mëdha janë mundësitë për përmirësimin e kujdesit klinik, aftësive diagnostikuese dhe ndërhyrjeve terapeutike për meshkujt dhe femrat", thonë ata.

Mbeten ende pyetje të tjera, të tilla si: cilët faktorë përcaktojnë praninë ose mungesën e aurës në migrenë dhe në cilën moshë e në cilën fazë të jetës fillon migrena. "Fatkeqësisht, mosha e fillimit nuk ishte e disponueshme në të dhënat e regjistrit suedez të binjakëve. Në të ardhmen, shpresojmë të shqyrtojmë se si mosha e fillimit të migrenës përkon me kohën e ngjarjeve kritike hormonale, siç është puberteti", përfundojnë Fitzgeraldi me kolegët.


Frontiers in Pain Research 2021. Doi: 10.3389/fpain.2021.766718
https://doi.org/10.3389/fpain.2021.766718


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>