Gjinekologji

qer172022

Diabeti gjestacional shoqërohet me disa komplikime të shtatzënisë. Ja, cilat janë

Sipas një studimi të publikuar në British Medical Journal, gratë shtatzëna me diabet melit gjestacional kanë më shumë gjasa të përjetojnë një sërë komplikimesh, si nëna, ashtu edhe i porsalinduri.

"Gjetjet na kanë ndihmuar të kuptojmë më thellë rezultatet e pafavorshme të shtatzënisë që lidhen me diabetin melit gjestacional", shkruajnë studiuesit. Në mënyrë të veçantë, bëhej fjalë për një rishikim sistematik dhe metaanalizë, ku ishin përfshirë 156 studime për mbi 7.5 milionë shtatzëni. Studimet u konsideruan të përshtatshme kur u mor parasysh të paktën njëri nga faktorët ngatërrues të mëposhtëm: mosha e nënës, indeksi i masës trupore para shtatzënisë, shtimi i peshës gjestacionale, shtatzënia, barazia, historia e duhanpirjes dhe e hipertensionit kronik. Studimet e përfshira u ndanë në tre grupe në bazë të përdorimit të insulinës: një grup ku gratë nuk kishin përdorur kurrë insulinë gjatë sëmundjes së tyre, një tjetër në të cilin ishte parashikuar përdorimi i insulinës dhe i fundit ku një përdorim i tillë nuk ishte raportuar.

Në rastin e përshtatjes sipas faktorëve ngatërrues, krahasuar me gratë pa diabet melit gjestacional, në studimet në të cilat nuk ishte përdorur insulina, gratë me këtë sëmundje kishin probabilitet më të madh për lindje cezariane, lindje të parakohshme, për të lindur fëmijë me rezultat të ulët Apgar 1-minutësh, me makrozomi, ose për të lindur fëmijë më të madh për moshën gjestacionale.
Në studimet ku ishte përdorur insulina, gratë me diabet melit gjestacional kishin më shumë gjasa të lindnin një foshnjë më të madhe për moshën gjestacionale, me sindromën e shqetësimit respirator, me verdhëz, ose me nevojën për shtrim në repartin intensiv neonatal.

Nuk u vunë re dallime midis grave me dhe pa diabet gjestacional në shanset për lindje instrumentale, hemorragji pas lindjes, lindje të foshnjës së vdekur, vdekje neonatale, të porsalindur me distoki të shpatullave, rezultat të ulët Apgar 5-minutësh, të lindur me peshë të vogël dhe fëmijë më të vogël sipas moshës gjestacionale. Disa analiza të nëngrupeve treguan se lloji i vendit në të cilin është kryer studimi (i zhvilluar ose në zhvillim), marrja në konsideratë e indeksit të masës trupore dhe metodave të shqyrtimit kontribuan në heterogjenitetin ndërmjet studimeve në lidhje me rezultatet e ndryshme të shtatzënisë. Për autorët, rezultatet e marra mbështesin nevojën për të kuptuar më mirë patofiziologjinë e diabetit melit giestacional.

 

BMJ 2022. Doi: 10.1136/bmj-2021-067946.
https://doi.org/10.1136/bmj-2021-067946


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>