Mjekësi e përgjithshme

kor42018

Shpërthimi i migrenës. Edhe te burrat, fajin mund ta kenë estrogjenet

Sipas një studimi të ri, të publikuar në "Neurology", estrogjenet, një faktor i njohur si shpërthyes i migrenës femërore, mund të jenë të përfshira edhe në shpërthimet e migrenës te meshkujt.

"Në studimin tonë, burrat me migrenë kanë paraqitur nivele të shtuara të estradiolit dhe gjithashtu, simptoma që përkojnë me mungesën relative të androgjeneve, krahasuar me burrat që nuk vuajnë nga migrena", shpjegon Willebrordus van Oosterhout (Universiteti Leiden, Holandë), autor kryesor i studimit. Kërkuesit kanë krahasuar 17 burra jo obezë që vuanin nga migrena mesatarisht tre herë në muaj dhe që nuk merrnin barna që ndikojnë në nivelet hormonale, me 22 burra pa migrenë, të përshtatur për moshë dhe indeks të masës trupore. Te të gjithë pjesëmarrësit, autorët kanë matur nivelet e estradiolit dhe kanë llogaritur nivelet e testosteronit të lirë në serum në katër momente gjatë një dite të vetme, me distancë prej tre orësh nga njëra-tjetra. Për burrat me migrenë, kampionët e parë të gjakut janë marrë në një ditë pa kriza migrene dhe më tej, në vazhdim, tre ose katër herë në ditë, deri kur është verifikuar shpërthimi i migrenës.

E pra, krahasuar me burrat pa migrenë, burrat me migrenë paraqisnin nivele estradioli më të mëdha në periudhat mes episodeve të migrenës (96,8 përkundër 69,1 pmol/L), por nivele të njëjta të testosteronit të lirë (357,5 përkundër 332,6 pmol/L) dhe në këtë mënyrë, një raport më të ulët mes testosteronit dhe estradiolit (3,9 përkundër 5,0).

Gjithashtu, burrat me migrenë, vuanin më shpesh nga simptomat e mungesës së androgjeneve (61% përkundër 27% te kontrollet) dhe këto simptoma ishin shpeshherë të rënda. Mekanizmi i veprimit sipas të cilit veprojnë estrogjenet, nuk është i qartë, ndonëse autorët sugjerojnë që vlera të larta të estrogjenit mund të shtojnë ndjeshmërinë e trurit ndaj depolarizimit kortikal të shpërndarë. Mbetet gjithashtu pak i qartë roli i testosteronit. Në këtë studim, në fakt, nivelet e një hormoni të tillë rezultonin të rritura para një ataku migrene vetëm te burrat me simptoma paralajmëruese dhe, duke qenë se dihet që testosteroni shtohet në situata stresi, nuk mund të përjashtohet se kjo rritje është thjesht një përgjigje e trupit ndaj simptomave të një shpërthimi të pashmangshëm.

 

Neurology. 2018. doi: 10.1212/WNL.0000000000005855
https://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/29950439


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>