Mjekësi e përgjithshme

sht282022

Të sëmurët me HIV dhe hepatit C janë më të rrezikuar për insuficiencë kardiake

Sipas një studimi të botuar në Journal of American Heart Association, njerëzit me HIV janë më të rrezikuar për insuficiencë kardiake me kalimin e moshës, edhe në rastet kur virusi trajtohet, rreziku vazhdon të egzistojë nëse ata vuajnë edhe nga hepatiti C i patrajtuar.

"Që nga prezantimi i terapive antiretrovirale për trajtimin e HIV-it në fund të viteve 1990, jetëgjatësia e njerëzve me HIV është rritur në mënyrë dramatike. Megjithatë, edhe në rastet kur trajtohet, studimet kanë zbuluar se rreziku për sëmundje kardiovaskulare te njerëzit me HIV është të paktën 50% më i lartë se te ata pa HIV", thotë autorja kryesore e studimit Keri Althoff nga Shkolla e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg në Baltimore.

Studiuesit supozuan se për shkak të inflamacionit nga aktivizimi kronik i imunitetit të dy infeksioneve virale, njerëzit me HIV dhe hepatit C kishin një rrezik më të lartë për insuficiencë kardiake në krahasim me ata të infektuar vetëm me HIV.

Për të sqaruar situatën, ata analizuan informacionin shëndetësor të 23,361 personave me HIV që kishin filluar trajtimin antiretroviral për infeksionin. Një në pesë pjesëmarrës në studim (4677) ishin gjithashtu pozitivë për hepatitin C. Gjatë një ndjekjeje mesatare prej rreth katër vitesh, studiuesit krahasuan fillimin e insuficiencës kardiake midis grupeve, te të infektuarit vetëm me HIV dhe të infektuarit me HIV dhe hepatit C gjithashtu, në tërësi dhe për çdo dekadë të moshës.

Analiza zbuloi se në çdo dekadë të moshës, rreziku për insuficiencë kardiake u rrit me 30% te pacientet vetëm me HIV, dhe me 85% tek ata që ishin pozitivë edhe për hepatitin C.

Rreziku për insuficiencën kardiake u rrit për pjesëmarrësit që kishin gjithashtu faktorë rreziku tradicional të sëmundjeve kardiovaskulare, si: presioni i lartë i gjakut (më shumë se tre herë), pirja e duhanit (90%) dhe diabeti i tipit 2 (46%). Ky rrezik ishte gjithashtu më i lartë (40%) te pjesëmarrësit me faktorë të caktuar të lidhur me HIV-in, siç janë nivelet e ulëta të qelizave imune CD4 (200 qeliza/mm3) dhe 45% më i lartë te ata që merrnin frenues të proteazës.

"Gjetjet tona sugjerojnë se infeksionet e përbashkëta të HIV-it dhe hepatitit C kanë nevojë për kërkime të mëtejshme, të cilat mund të vendosin bazat për udhëzimet e ardhshme të trajtimit dhe standardet e kujdesit", përfundon Althoff.

 

JAHA 2022. Doi: 10.1161/JAHA.122.026473
https://doi.org/10.1161/JAHA.122.026473


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>