Kardiologji

qer262023

Një në tre diabetikë mund të ketë sëmundje kardiovaskulare të pazbuluara

Përafërsisht një në tre të rritur me diabet të tipit 2 (T2D) shfaqin shenja të sëmundjeve kardiovaskulare subklinike (CVD) sipas vlerësimit nga bioshënjuesit kardiak, tregon një studim i botuar në "Journal of the American Heart Association".

"Një dokument i botuar në vitin 2022 nga Shoqata Amerikane e Diabetit ka rekomanduar testimin vjetor të bioshënjuesve, duke përfshirë troponinën kardiake me ndjeshmëri të lartë (hs-cTn) dhe peptidin natriuretik N-terminal pro-B (NT-proBNP), për të lejuar diagnostikimin e hershëm dhe për të parandaluar insuficiencën kardiake. Studimet e mëparshëm kanë sugjeruar se rritja e  niveleve të dy bioshënjuesve kardiak mund të sjellë një rrezik të konsiderueshëm të ngjarjeve të mëdha kardiake dhe vdekshmërisë te të rriturit me diabet. Sidoqoftë, të dhënat kombëtare mungojnë dhe informacioni vazhdon të jetë i pakët për ngarkesën dhe pasojat afatgjata të CVD-ve subklinike te të rriturit me T2D", tha autorja kryesore e studimit Elizabeth Selvin nga Shkolla e Shëndetit Publik Johns Hopkins Bloomberg në Baltimore, SHBA.

Studiuesit karakterizuan prevalencën mbarëkombëtare të CVD-ve subklinike, siç vlerësohet nga rritja e niveleve të hs-cTnT dhe NT-proBNP te të rriturit me dhe pa diabet. Pjesëmarrësit u klasifikuan si: pa diabet, ose me diabet të sapo diagnostikuar, diabet afatshkurtër dhe diabet afatgjatë (më shumë se 10 vjet). Studiuesit përcaktuan CVD-të subklinike me nivele të ngritura të hs-cTnT ose NT-proBNP. 7% e të rriturve të konsideruar pa histori të CVD-ve kishin diabet dhe ishin përgjithësisht më të moshuar dhe kishin një ngarkesë më të lartë të faktorëve të rrezikut kardiovaskular. Pas analizave, rezultatet treguan se 33.4% e të rriturve me T2D kishin shenja të CVD-ve subklinike, krahasuar me vetëm 16.1% të individëve pa diabet. Pas përshtatjes për moshën, u zbulua se rritja e niveleve të hs-CTnT, por jo të NT-proBNP, ishte më e zakonshme te njerëzit me diabet. Për më tepër, prevalenca e vlerave të ngritura të hs-cTnT ishte dukshëm më e lartë te individët me diabet afatgjatë dhe kontroll më të keq të glicemisë. Për njerëzit me diabet, rritja e hs-cTnT dhe NT-proBNP u shoqëruan në mënyrë të pavarur me vdekshmërinë nga të gjitha shkaqet dhe vdekshmërinë nga CVD-të. Bazuar në këto gjetje, ekspertët besojnë se shqyrtimi për bioshënjuesit e caktuar kardiak duhet t'i shtohet vlerësimit rutinë të faktorëve tradicionalë të rrezikut kardiovaskular.

 

JAHA 2023. Doi: 10.1161/JAHA.122.029083
https://doi.org/10.1161/JAHA.122.029083


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>