Mjekësi e përgjithshme

kor142023

Te pacientët me fibromialgji, rreziku i vdekjes është më i lartë

Fibromialgjia mund të lidhet me një rrezik të shtuar të vdekjes për shkak të vulnerabilitetit ndaj aksidenteve, infeksioneve dhe veçanërisht vetëvrasjes, sipas një studimi të publikuar në "RMD Open".

"Ende nuk është e qartë se çfarë e shkakton fibromialgjinë, por prevalenca e saj po vjen duke u rritur dhe kjo po na ndihmon të kuptojmë se ajo shpesh bashkëjeton me probleme të tjera shëndetësore. Duke pasur parasysh shkallën e dhimbjes dhe kushtet etjera mjekësore që mund të jenë të dhimbshme dhe dobësuese për pacientët që vuajnë prej saj, mendohet se ata mund të kenë një rrezik më të madh për të vdekur para kohe", thotë Yulia Treister-Goltzman nga Universiteti Ben-Gurion i Negevitit në Tel Aviv, autore kryesore e studimit.

Për të kuptuar më mirë situatën, studiuesit analizuan rezultatet e tetë studimeve të publikuara gjatë periudhës 1999-2020, që përfshinin gjithsej 188,751 të rritur, të gjithë me sëmundje bashkëshoqëruese. Analiza tregoi se fibromialgjia lidhej me një rritje prej 27% të rrezikut të vdekjes nga të gjitha shkaqet me kalimin e kohës, megjithëse kjo rezultoi të ishte e vërtetë për pacientët të cilët u diagnostikuan sipas kritereve të vitit 1990.

Në mënyrë të veçantë, analiza tregoi se rreziku i vdekjes për shkak të kancerit ishte 12% më i ulët se në popullatën e përgjithshme të së njëjtës moshë, dhe se për shkak të aksidenteve ishte vetëm pak më i lartë (5%). Megjithatë, rreziku i vdekjes ishte 44% më i lartë për infeksionet, duke përfshirë pneumoninë dhe septiceminë, dhe më shumë se tre herë më i lartë për vetëvrasjen.

Është e paqartë nëse ky rrezik ishte më i lartë për shkak të vetë fibromialgjisë apo sëmundjeve të tjera bashkëshoqëruese. Ekspertët besojnë se rritja e vdekshmërisë nga aksidentet mund të rezultojë nga lodhja, gjumi jo i mirë dhe vështirësitë në përqendrim, faktorë që kanë qenë pjesë e kritereve diagnostikuese për fibromialgjinë që nga viti 2010. Ata gjithashtu theksojnë se provat në rritje mbështesin përfshirjen e sistemit imunitar dhe të inflamacionit në patofiziologjinë e fibromialgjisë, e cila mund të shpjegojë arsyen e rritjes së vdekshmërisë nga infeksionet, ndërkohë që reduktimi i rrezikut të vdekjes nga kanceri mund të ndodhë për shkak të faktit se këta pacientë janë shumë shpesh nën mbikëqyrje mjekësore. 

"Rishikimi ynë ofron prova të besueshme se pacientëve me fibromialgji duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë për parandalimin e aksidenteve dhe parandalimin dhe trajtimin e infeksionit", përfundojnë autorët. 

 

RMD Open 2023. Doi: 10.1136/rmdopen-2023-003005
http://doi.org/10.1136/rmdopen-2023-003005


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>