Focus

kor252023

Çrregullimi bipolar lidhet me një rritje të vdekshmërisë së hershme

Edhe pse çrregullimi bipolar lidhet me vdekshmërinë e hershme, vdekjet te pacientët me këtë patologji kanë më shumë mundësi të shkaktohen nga faktorë të tjerë të jashtëm, si vetëvrasja, dhe jo nga faktorët somatikë si sëmundjet e lidhura me konsumin e alkoolit, sipas një studimi të publikuar në "BMJ Mental Health".

"Ne e dimë se vdekshmëria nga të gjitha shkaqet në mesin e individëve me çrregullim bipolar është rreth dy herë më e lartë krahasuar me popullatën e përgjithshme. Rritja e hendekut të vdekshmërisë midis pacientëve me çrregullim bipolar dhe popullsisë së përgjithshme është raportuar në disa vende, ndërsa tendenca të qëndrueshme ose në rënie janë raportuar në disa të tjerë", thotë Tapio Paljarvi nga Spitali Niuvanniemi në Kuopio, Finlandë, autori kryesor i studimit.

Për të hetuar më tej mbi këtë çështje, studiuesit vlerësuan individët 15-64 vjeç me dhe pa diagnozë të çrregullimit bipolar dhe i ndoqën ata deri në momentin që: mbushën 65 vjeç, u diagnostikuan me çrregullime të spektrit të skizofrenisë, vdiqën ose deri në fund të vitit 2018. Nga 47,018 pacientë me çrregullim bipolar, 57% ishin gra, mosha mesatare e te cilave në fillim të studimit ishte 38 vjeç. Ndër individët me çrregullim bipolar, 7% vdiqën gjatë ndjekjes. Në grupin e njerëzve të moshës 15-64 vjeç, individët me çrregullim bipolar kishin gjashtë herë mundësi për të vdekur nga shkaqe të jashtme dhe dy herë më shumë mundësi nga shkaqe somatike krahasuar me ata pa këtë patologji. Në mënyrë të përgjithshme, vdekshmëria nga të gjitha shkaqet ishte gati tre herë më e lartë në mesin e njerëzve me çrregullim bipolar sesa midis atyre pa këtë gjendje. Shumica e vdekjeve shtesë te personat e moshës 15-44 vjeç ishin për shkaqe të jashtme, ndërsa shkaqet e jashtme dhe shkaqet somatike kontribuan në mënyrë të barabartë në vdekshmërinë shtesë te pacientët e moshës 45-64 vjeç. Shumica e vdekjeve shtesë nga shkaqet somatike lidheshin me alkoolin (40%), sëmundjet kardiovaskulare (26%) ose kancerin (10%), ndërsa 61% e vdekjeve shtesë nga shkaqet e jashtme lidheshin me vetëvrasjen.

"Gjetjet tona tregojnë se nevojiten qasje më të synuara për të ndihmuar në parashikimin dhe parandalimin e këtyre vdekjeve shtesë, veçanërisht ato që lidhen me alkoolin dhe vetëvrasjen", përfundojnë autorët.


 

BMJ Mental Health 2023. Doi: 10.1136/bmjment-2023-300700
http://doi.org/10.1136/bmjment-2023-300700


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>