jan102024
A i shton nata e Vitit të Ri rastet me Covid?
Festat e vogla kanë kontribuar më shumë sesa eventet e mëdha në përhapjen e Sars-CoV-2 gjatë periudhës së Krishtlindjes.
Në një studim të fundit të publikuar në Scientific Reports, u shqyrtua nëse festimet e Vitit të Ri kanë ndikuar në transmetimin e virusit SARS-CoV-2 (agjent shkaktar i COVID-19). Studimet e mëparshme kanë raportuar një rritje të rasteve me COVID-19 pas festave publike dhe festimit të tyre, megjithatë, deri më tani, asnjë hulumtim nuk ka identifikuar prova të drejtpërdrejta të një lidhjeje shkakësore. Ngjarjet e superpërhapjes (SSE) dihet se janë ndër vektorët kryesorë të transmetimit të SARS-CoV-2 dhe patogjenëve të tjerë, duke e bërë të rëndësishme të kuptohet roli i tyre specifik gjatë pushimeve.
Studimi shqyrtoi nëse festimet e Vitit të Ri në Belgjikë shkaktuan shtim të rasteve me SARS-CoV-2, duke u fokusuar veçanërisht te komuniteti i studentëve të universitetit. Gjatë periudhës së studimit, varianti omicron BA.1 ishte versioni mbizotërues i SARS-COV-2. Më shumë se 90% e studentëve ishin të vaksinuar, mesatarisht me një distancë tremujore nga doza e fundit e vaksinës. Rezultatet nga programi i testimit dhe gjurmimit zbuluan një shtim afatshkurtër të rasteve të COVID-19 pas festimeve. Nga 50,000 studentë të anketuar, 2,505 prej tyre iu nënshtruan testeve PCR në dy javët e para të vitit të ri, në të cilat 16.9% rezultuan pozitivë.
Është vënë re një lidhje e fortë mes festave të ndërrimit të viteve dhe shtimit të rasteve me COVID-19 te studentët. Studiuesit vërejnë se, sidoqoftë, duhet të theksohet se kontribuese në shtimin e rasteve ishin më shumë ngjarjet e vogla sesa ato të mëdha me turma njerëzish. Infeksionet "e gjeneratës së parë" vinin kryesisht nga tubime të vogla, vëzhgim që mund të jetë i vlefshëm si në vend, ashtu edhe ndërkombëtarisht edhe për variantet më të fundit. Studimi është i pari që tregon një lidhje të fortë midis festimeve të festave publike dhe shtimit të rasteve SARS-CoV-2. Në vend të tubimeve të mëdha, kontribueset kryesore në shtimin e infeksioneve SARS-CoV-2 ishin festimet e grupeve të vogla gjatë festave të dimrit. Këto rezultate ofrojnë njohuri të rëndësishme në menaxhimin e emergjencave të ardhshme të shëndetit publik të lidhura me festat dhe festimet.