kor222024
Covid-19. Epidemia e vazhdueshme, e nënvlerësuar. Ja, si të menaxhoni simptomat
Pavarësisht se Covid-19 nuk është një sëmundje sezonale, edhe këtë verë po përballemi me një nga variantet e virusit, që po shton infektimet, varianti Kp3. Megjithatë, epidemia aktuale po nënvlerësohet tej mase, pasi tamponët nuk po kryhen më.
Kp3 bën pjesë në familjen e Omicron, i cili në përgjithësi është më pak patogjen. Kjo do të thotë që, edhe pse ka ende raste vdekjeje te individët më të dobët nga ana imunitare (afro 20 në javë), ashpërsia e simptomave priret të jetë më e ulët, krahasuar me variantet e para të virusit. Simptomat e variantit Kp3, janë të ngjashme me ato të varianteve të tjera të Covid-19, por më të lehta në përgjithësi. Ato janë simptoma të ngjashme me gripin, si: temperatura, kolla, problemet respiratore, si dhe humbja e shijes dhe e nuhatjes (më pak të shpeshta, por kemi parë që rishfaqen me këtë variant). Variantet Kp2 dhe Kp3 janë përgjithësisht të dobishme për sa i përket patogjenitetit. Kjo të jep një farë qetësie, por nuk duhet ulur aspak vigjilenca.
Nga ana tjetër, përsa i përket trajtimit, ai varet nga tipologjia e pacientit dhe nga ashpërisa e simptomave. Për rastet e rënda e sidomos për të moshuarit, ekziston një trajtim antiviral specifik në treg. Megjithatë, për pjesën më të madhe të individëve, trajtimi me antiinflamatorë dhe disa ditë pushim janë të mjaftueshme. Vaksinimi mbetet thelbësor edhe në këtë fazë që Covid-19 ngjall më pak frikë.
Tashmë, Covid-19 është një sëmundje e menaxhueshme, që nuk shkakton shumë shqetësim: temperaturë që zgjat vetëm për disa ditë, maksimumi një javë, duke arritur ndonjë pik prej 10 ditësh. Gjithsesi, tamponët duhet të kryhen, pasi nëse mjeku e di nga çfarë sëmundje vuan pacienti, e ka më të thjeshtë ta trajtojë. Nuk duhet demonizuar fakti i rifillimit të kryerjes së tamponëve, sepse kjo ndihmon në shmangien, për shembull, të përdorimit të panevojshëm të antibiotikëve, ndihmon në synimin e duhur të terapive, si dhe në përdorimin e antiviralëve në rastet e individëve veçanërisht në rrezik. Kështu mbrohen edhe ata që janë të dobët nga ana imunitare.