jan132016
Leucemia e shkaktuar nga trajtimi i kancerit të gjirit mund të jetë me bazë gjenetike
Një studim i sapo publikuar në revistën "Cancer", tregon se karakteristikat gjenetike të një femre që i ka mbijetuar kancerit të gjirit, mund të shtojnë riskun për të zhvilluar një leucemi pas kimio ose radioterapisë. "Këto rezultate janë një hap para drejt zhvillimit të strategjive për të parandaluar këtë komplikim të rëndë dhe potencialisht të rrezikshëm për jetën lidhur me trajtimin e tumorit primitiv", thotë Jane Churpek nga Universiteti i Çikagos, autore e parë e artikullit duke kujtuar se femrat me një neoplazi mamare përfaqësojnë sot pjesën më të madhe të rasteve me leucemi pas radio apo kimioterapisë. "Si pasojë e zgjatjes progresive të mbijetesës së tyre, përpjekjet për të kuptuar dhe parandaluar këtë komplikim janë me rëndësi të madhe", shkruajnë kërkuesit që kanë vlerësuar karakteristikat e 88 të mbijetuarave nga kanceri i gjirit me leucemi të shkaktuar nga trajtimi. Duke vepruar në këtë mënyrë kërkuesit kanë zbuluar në pjesën më të madhe të rasteve histori personale dhe familjare që sugjerojnë një predispozitë tumorale të trashëguar. Për më tepër një femër në pesë ishte bartëse e mutacionit të një gjeni të lidhur me shtimin e riskut të tumorit mamar. "Rezultate këto që justifikojnë një studim afatgjatë në femrat me apo pa mutacione gjenetike të trashëgueshme me predispozitën për t'u sëmurë, të trajtuara me kimio apo radioterapi për kancerin e gjirit për të kuptuar rolin e këtyre gjeneve në riskun e leucemisë", përfundon autorja.
Në një editorial, Judith Karp nga Universiteti i Baltimorës nënvizon vështirësinë për të përcaktuar riskun efektiv të një leucemie që mund të jetë e lidhur me trajtimin, por edhe me një tumor të dytë malinj që nuk është i lidhur në asnjë mënyrë me kurën e kancerit mamar. "Regjistrat me tumore familjarë që ndjekin në mënyrë prospektive pacientët me kancer të gjirit dhe familjet, janë në një pozicion unik për të verifikuar frekuencën reale të leucemive të ardhshme, lidhjen e tyre me terapitë e marra dhe ndryshimet gjenetike", përfundon Karp.
Përktheu: Erjola Taga