Mjekësi e përgjithshme

shk172016

Përshkrimi i antibiotikëve, katër këshillat për mjekët nga ACP dhe CDC në infeksionet respiratore

Duke analizuar baza të ndryshme të dhënash, Kolegji Amerikan i Mjekëve (ACP) dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë mbledhur informacionet dhe provat më të sakta shkencore mbi përshkrimin korrekt të antibiotikëve te pacientët e rritur me infeksione akute të traktit respirator.
Rezultati i këtij rishikimi është publikuar së fundi në "Annals of Internal Medicine" në një artikull që përfshin një sërë indikimesh mbi mënyrën më efikase të përdorimit të antibiotikëve në kontekstin ambulator.

Siç shpjegojnë autorët e kërkimit, infeksionet akute të traktit respirator janë një nga shkaqet më të shpeshta të vizitave mjekësore dhe përfshijnë problematika të ndryshme: ftohje e zakonshme, bronkit i pakomplikuar, dhimbje fyti dhe infeksione të sinuseve. "Përdorimi i papërshtatshëm i antibiotikëve për këto infeksione është një faktor që kontribuon në mënyrë të rëndësishme në përhapjen e rezistencës ndaj antibiotikëve, një problem i madh ky i shëndetit publik", pohon presidenti i ACP, Wayne Riley, i cili shton: "Reduktimi i këtij fenomeni është thelbësor për të përmirësuar kurat, për të reduktuar kostot shëndetësore dhe ngadalësuar ose parandaluar antibiotiko-rezistencë".
Gjithashtu nuk duhet harruar risku i efekteve anësore të lidhura me përdorimin e kësaj klase barnash që mund të jenë të lehta: si p.sh. të përziera apo irritime në lëkurë, por edhe ekstremisht të rënda si shock anafilaktik.

Katër janë këshillat e ekspertëve amerikanë për të kërkuar përshkrimin e duhur të antibiotikëve.
* I pari lidhet me bronkitin dhe shpjegon se mjekët nuk duhet të bëjnë teste apo të fillojnë një terapi antibiotike nëse nuk dyshohet për pneumoni.
* Indikimi i dytë i takon faringitit: Duhen vlerësuar me teste të kulturës qelizore ose teste për identifikimin antigjenik të shpejtë pacientët që shfaqin shenja sugjeruese të një infeksioni nga streptokoku i grupit A. Vetëm nëse ekzaminimet konfirmojnë infeksionin mund të procedohet me trajtimin antibiotik.
* Patologjia e tretë e trajtuar është rinosinuziti akut për të cilin ekspertët thonë se antibiotiku duhet vetëm në rastet e simptomave persistente  prej më shumë se 10 ditësh, shfaqjen e simptomave të rënda dhe në disa situata të tjera .
* Në fund nuk duhen përshkruar antibiotikë në rastin e një ftohjeje të shpejtë, përfundojnë ekspertët./D.GJ. 

Ann Intern Med. 2016 Jan 19. doi: 10.7326/M15-1840
http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/26785402

 


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>