dhj112023
Pneumonia e bardhë në Kinë. Prof. Dr. Arjan Harxhi: Nuk ka asnjë virus të ri nga Kina. Bëhet fjalë për pneumoni që ka ekzistuar ndër vite
Nuk ka asnjë virus të ri apo sëmundje infektive që po përhapet nga Kina, por një bakter, i cili ka ekzistuar gjithmonë dhe që ka shkaktuar shtim të numrit të fëmijëve me infeksione respiratore apo pneumoni të bardhë, siç e quajnë në Kinë. Mjeku infeksionist, Prof. Dr. Arjan Harxhi shpjegoi për mediat se nuk ka vend për panik, pasi edhe në Shqipëri ka çdo vit raste me këtë pneumoni.
"Nuk bëhet fjalë për një shkaktar apo për një virus të ri që mund të na vijë nga Kina, por për pneumoni, një inflamacion të mushkërive të shkaktuar nga mykoplazma, një bakter i njohur prej dekadash, të cilin ne e kemi të pranishëm çdo vit në Shqipëri e kudo në Evropë, Amerikë, Azi, etj.", shpjegon prof. Harxhi.
Prof. Harxhi shpjegon se është bërë më shumë zhurmë ngaqë flitet për raste të lidhura me Kinën. Nga eksperienca e Covidit merr vëmendje të shtuar edhe pneumonia e shkaktuar nga bakteri mykoplazma.
Mykoplazma është një bakter i vogël shumë i përhapur që shkakton pneumoni. Në SHBA, për shembull, raportohet se rreth 1 milion persona preken çdo vit nga ky bakter, por vetëm një përqindje e vogël mund të shkaktojë pneumoni, e cila është e lehtë, kalohet në këmbë dhe trajtohet me antibiotik. Pra, nuk është për t'u alarmuar.
Sipas Harxhit, ky bakter nuk shfaq klinikë të rëndë përveçse tek individë me imunitet të ulët.
Edhe nga Kina nuk kemi marrë informacione që ecuria klinike të jetë e rëndë dhe e rrezikshme. Gjithashtu, rastet që ne ndjekim çdo vit me atë që shkencërisht quhet pneumoni atipike, kalojnë me një cikël antibiotikësh nga goja për 7-10 ditë.
Alma Demiraj