qer22016
Edhe pas rezultateve të testeve gjenetike, personat në risk nuk e ndryshojnë stilin e jetesës
Sipas një studimi të publikuar në "British Medical Journal" komunikimi i rezultateve të testeve gjenetike pacientit apo familjarëve ka një impakt të vogël sa i takon ndryshimit të stilit të jetës si p.sh. lënien e duhanpirjes apo shtimin e aktiviteteve fizike. "Duke parë interesin e madh për mjekësinë e personalizuar dhe aplikimin në rritje të testeve për një sërë sëmundjesh komplekse, këto rezultate janë të rëndësishme", pohon Theresa Marteau, drejtore e "Behaviour and Health Research Unit" në Universitetin e Kembrixhit (Britani e Madhe). Marteau bashkë me kolegët ka shqyrtuar rezultatet e 18 studimeve mbi efektet e komunikimit te pjesëmarrësit të rezultateve të testeve të lidhura me riskun gjenetik për sëmundjet kardiake, tumore dhe sëmundjen e Alzheimerit, të gjitha sëmundje të cilat mund të kenë përfitime nga ndryshimi i stilit të jetës duke lënë duhanin apo alkoolin, përmirësimin e dietës ushqimore dhe ushtrimeve fizike.
Por nga rezultatet e marra nuk doli asnjë lidhje mes komunikimit të rezultateve dhe lënies së duhanit, vendosjes së një ushqyerje më të shëndetshme dhe shtimit të aktivitetit fizik. E po ashtu asnjë efekt nuk u vëzhgua në sjellje të tjera mes të cilave konsumi i alkoolit, përdorimi i barnave, mbrojtja diellore dhe pjesëmarrja në programet e screening.
Një analizë e mëtejshme e të dhënave të mbledhura nuk ka ofruar asnjë provë të dukshme se sa komunikimi i rezultateve te personat bartës të një gjenotipi që shton riskun e një sëmundje të caktuar, mund të influencojë në stilin e jetesës.
"Për ta thënë në terma më të thjeshtë, të komunikosh ose jo rezultatet nuk ndryshon asgjë", përmbledhin idenë kërkuesit, duke nënvizuar megjithatë se studimet e marra në shqyrtim ishin të pamjaftueshme. "Ndonëse është nevoja për konfirmime të tjera, rezultatet tona nuk i mbështesin pritshmëritë aktuale drejt një roli të testeve gjenetike drejtuar konsumatorëve, për t'i motivuar bartësit e riskut gjenetik që të modifikojnë zakonet me qëllim përmirësimin e shëndetit", përfundon Marteau.
Bmj 2016. doi: 10.1136/bmj.i1102
http://www.bmj.com/content/352/bmj.i1102