Mjekësi e përgjithshme

mar152018

Kolesteroli i lartë ofron një mekanizëm mbrojtës për funksionin konjitiv?

Personat 85 vjeç e lart, te të cilët nivelet e kolesterolit ishin të larta, krahasuar me vlerat që kishin patur në moshë të mesme, paraqisnin një rrezik të reduktuar për rënie të aftësive konjitive, krahasuar me ata një dhjetëvjeçar më të rinj, te të cilët gjithashtu, kolesteroli ishte në nivele të larta. Këtë e konfirmon një studim i ri i publikuar në "Alzheimer & Dementia", buletini i Shoqatës së Alzheimerit. "Rezultatet tona mund të jenë të rëndësishme për studimet që kanë lidhje me faktorët gjenetikë dhe të llojeve të tjera, të lidhur me përparimin e plakjes konjitive", thotë autori kryesor i studimit, Jeremy Silverman.

Grupi i kërkuesve ka vlerësuar lidhjen mes pesë vlerave të kolesterolit total me një rënie substanciale të funksionit konjitiv në 5.209 subjekte të rritura që merrnin pjesë në studimin Framingham Heart, një studim kohorte kardiovaskular afatgjatë që është në zhvillim e sipër te rezidentët e Framingamit, Masaçusets. Studimi ka nisur në vitin 1948 dhe aktualisht, po ndjek brezin e tretë të pjesëmarrësve. Pesë vlerat e marra në shqyrtim ishin kolesteroli total në moshë të mesme (mesatarisht 40 vjeç), kolesteroli total i vonë (mosha mesatare 77 vjeç), kolesteroli total mesatar që nga mosha e mesme, ndryshimi linear i kolesterolit nga mosha e mesme dhe ndryshimi kuadrat që nga mosha e mesme. Kërkuesit kanë zbuluar se personat e moshës 85-94 vjeç, me një funksion të mirë konjitiv, kolesteroli total i të cilëve ishte shtuar, kishin një rrezik të reduktuar prej 32% për të zhvilluar rënie konjitive të shenjuar në dhjetë vitet e ardhshme, krahasuar me ata të moshës nga 75-84 vjeç, me kolesterol të lartë, që paraqisnin një rrezik më të madh, prej 50%.

Autorët theksojnë se këto rezultate nuk sugjerojnë që të moshuarit mbi 85 vjeç të ngrenë nivelin e kolesterolit për të pasur një shëndet më të mirë konjitiv, por se njerëzit e asaj grupmoshe në grupin kohorte që kishin funksion të mirë njohës dhe kolesterolin e lartë, kishin gjithashtu edhe faktorë mbrojtës.

"Nuk mendojmë se kolesteroli i lartë është i mirë për shëndetin e trurit në moshën 85 vjeçare, por prania e tij mund të na ndihmojë të identifikojmë ata që vuajnë më pak. Ne shpresojmë të identifikojmë gjene ose lloje të tjera faktorësh mbrojtës për rënien konjitive, duke u fokusuar te njerëzit e moshuar shumë të shëndetshëm, të cilët kanë më shumë gjasa të jenë bartës të faktorëve mbrojtës", thonë autorët.

 

Alzheimer & Dementia 2018. Doi: 10.1016/j.jalz.2018.01.009
http://www.alzheimersanddementia.com/article/S1552-5260(18)30028-1/fulltext


Download Center

Principi e Pratica Clinica
Artikuj të shkëputur
shkoni në download >>
separa
Principi e Pratica Clinica
Urdhëra dhe Udhëzime
shkoni në download >>